Dibra dhe Korça, me tkurrjen më të lartë të lindjeve në 6-mujor, shumica e qarqeve, rënie dyshifrore
Numri i lindjeve është duke rënë me shpejtësi në të gjitha qarqet e vendit vit pas viti, por në 6 mujorin e parë 2022 fenomeni ishte më i fortë në qarqet e Dibrës dhe të Korçës.
Sipas të dhënave të INSTAT, në janar-qershor 2022 lindjet në shkallë vendi pësuan rënie vjetore me 9 për qind, por në qarqet e Dibrës dhe Korçës tkurrja ishte përkatësisht 23.8 % dhe 20%.
Të dhënat tregojnë se në qarkun e Korçës lindjet ranë me gati një të katërtën në harkun kohor të një viti, teksa faktorët lidhen me emigracionin e mprehte, plakjen e popullsisë dhe rënien e normave të lindshmërisë për gratë që jetojnë në atë zonë.
Rënia e lindjeve lidhet me të njëjtat arsye edhe në Dibër, ku qarku vit pas viti po humbet popullatën e re në moshë si rrjedhojë e normave të larta të emigrimit të brendshëm dhe emigracionit.
Bashkitë e vogla dhe sidomos zonat rurale të vendit janë duke u shpopulluar më shpejtësi. Çiftet e reja nuk po ndërtojnë jetën në këto zona, jo për arsye ekonomike, por nuk nga mungesa e shërbimeve arsimore cilësore. Në shumicën e fshatrave shqiptare janë krijuar shkolla kolektive nga numri i pakët i fëmijëve. Për ketë arsye shumë prindër largohen nga vendbanimet e tyre kur fëmijët i afrohen moshës së shkollës.
Shumica e qarqeve kishin rënie dyshifrore të lindjeve në krahasim me gjashtëmujorin e parë. Pas Dibrës dhe Korçës, Shkodra kishte rënie me 18%, Berati me 13.2%, Fieri me 12.4% dhe Kukësi me 10.5%.
Rënia e lindshmërisë ka prekur edhe Tiranën. Pavarësisht se popullsia e kryeqytetit vjen në rritje nga viti në vit, numri i lindjeve ka nisur rënien. Në 6-mujorin e parë 2021 lindjet në qarkun e Tiranës shënuan rënie me -3.5%.
Përveç normave të lartë të emigracionit që po ndikojnë negativisht lindjet, shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare që jetojnë në Shqipëri të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.
Kjo tendencë po pasqyrohet qartë në rënien vit pas viti të indeksit Sintetik të Fekonditetit (ISF), i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese.
INSTAT raportoi se indeksi sintetik i fekonditetit ra në 1,32 fëmijë për grua më 2021 nga 1,34 fëmijë që ishte ky tregues më 2020 dhe 1,36 që ishte në vitin 2019. Në vitin 2001, sipas INSTAT, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970 ishte mbi 5.
Kjo do të thotë se 100 gra pritet të lindin 132 fëmijë nga rreth 210 fëmijë në vitin 2001 dhe 500 fëmijë në vitin 1970.
Me këtë ecuri popullsia e Shqipërisë pëson rënie në mënyrë të pakthyeshme për shkak se tashmë lindshmëria është shumë poshtë normës së zëvendësimit dhe gratë nuk arrijnë të zëvendësojnë vetveten. Kjo do të thotë se në të ardhmen popullsia do të pakësohet, por do të ketë gjithnjë e më pak femra, të cilat janë baza e riprodhimit./Monitor
Rruga Press