Shëndetësi

Dezinfektuesit s’mund të reklamohen si produkte “miqësore ndaj lëkurës”, vendos Gjykata Evropiane

Gjykata e Lartë e Bashkimit Evropian ka marrë vendim të enjten që dezinfektuesit s’mund të reklamohen më si produkte “miqësore ndaj lëkurës”.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë mori këtë vendim, pasi një gjykatë federale gjermane kërkoi mendimin e saj lidhur me një çështje të ngritur kundër gjigantit “DM”, që shiste një dezinfektues duarsh, lëkure dhe sipërfaqesh me një etiketë që, ndër të tjera, e quante atë produkt “miqësor ndaj lëkurës”.

Në këtë rast, Shoqata Gjermane për Mbrojtjen kundër Konkurrencës së Padrejtë, argumentoi se zinxhiri i shitoreve “DM” nuk respektonte rregulloren e Bashkimit Evropian për produktet biocide.

Rregullorja ndalon promovimin e produkteve të tilla me terme si “produkt biocid me rrezik të ulët”, “jo toksik”, “i padëmshëm”, “natyral”, “miqësor ndaj mjedisit” ose “miqësor ndaj kafshëve”.

Sipas gjykatës, termi “miqësor ndaj lëkurës”, ka konotacione pozitive që shmangin sugjerimin e ndonjë rreziku të mundshëm dhe mund të nënkuptojë se produkti mund të jetë i dobishëm për lëkurën.

Rruga Press

YouTube player