Lajme

Dëshmitari i tragjedisë në Spitalin modular në Tetovë thotë se ekspertiza është e papranueshme dhe se zjarri nisi nga defibrilatori

Mumin Ismaili është dëshmitar i tragjedisë në Spitalin modular në Tetovë. Ai nuk pajtohet me ekspertizën se zjarrin e ka shkaktuar kablloja vazhduese. Mendon se flakët i shkaktoi aparati defibrilator kur është kyçur në rrymë, në dhomën numër 3, ku ai ka qenë me nënën e tij, e cila humbi jetën në këtë tragjedi.

“Në dhomën ku filloi zjarri ka qenë nëna ime edhe një maqedonase, 21 vjeçare, Marija. Ajo ka qenë me të meta psikike dhe atë natë ju keqësua gjendja Marisë dhe si i thonë këta defibrilatori i zemrës, a si quajnë, e sollën mjekët për t’ia ngjallur zemrën si të themi dhe kur e vendosën atë të zemrës në trupin e saj atëherë filloi flaka. Edhe pse dolën ekspertët gjerman se zjarri ka ardhur nga kalloja vazhduese, ajo nuk është e vërtet, unë kam qenë ne dhomë, defilbrilatori nuk ka qenë në kabllon vazhduese edhe pse në dhomë ka pasur dy kabllo vazhduese, jo një. Defibrilatori ka qenë i vendosur… për shembull njëshi ka qenë Maria, krevati i dytë ka qenë i zbrazët, tek treshi ka qenë nëna ime. Defibrilatori ka qenë tek krevati nr.2, direkt në prizë, nuk ka pasur kabllo vazhduese. Të tilla ka pasur në dhomë, siç e kanë zbuluar ekspertët se ka pasur, por defibrilatori nuk ka qenë i vendosur në kabllo vazhduese dhe flaka në fillim ka kapur kur ka shpërthyer defibrilatori, sefte falka na nisur aty”, tha Mumin Ismaili, dëshmitar i tragjedisë.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Ismaili tregon edhe momentet se si ka vepruar pas shpërthimit të flakëve në dhomën numër tre dhe përpjekjet për shpëtimin e nënës së tij për të cilën kishte 28 ditë që përkujdesej.

“Kur e kam marrë unë nënën nga krevati për të dalë jashtë, sepse nga dhoma 3 derën e kam pasur 2 metra larg derës për të dalë jashtë, mjeku i parë më ka thënë që ta fus tek dhoma numër 2, se mua nëna nuk më është djegur tek dhoma numër 3, por tek dhoma numër 2. Kur hyra te dhoma 2, një krevat ishte i lirë, pesë pacientë ishin brenda dhe lash nënën tek krevati lirë, por tek krevati i lirë, zakonisht kur shkonin pacientë pjesët e oksigjenit, ato aparatet në mur i hiqnin dhe nëna nuk kishte oksigjen. I thash vëllait të dalë ta marr një aparat. Në atë moment nëse e keni parë, plasi rrymë, u bë terr dhe doli flaka. Unë i lutem Zotit që jam gjallë, por e dini se si jam gjallë?! Me lutjet e nënës time! Secilin ushqim të ia jepja në gojë, më thoshte “loçkë e nanës më flladite mu, Allahi të flladittë”! Unë në dhoma kam parë persona duke u djegur, e unë jam siç e shini, shëndosh e mirë. Kam pasur lëndime por jam mirë”, pohoi Mumin Ismaili, dëshmitar i tragjedisë.

Në mungesë të stafit mjekësor, Ismaili tregon se pse mjekët i kanë kërkuar që ai dhe të tjerë familjarë të qëndrojnë në spital tek të infektuarit me Covid-19.

“Mjeku ka kërkuar që njëri të rrinte te pacienti sepse nuk kishte shërbim. Ato epruvetat e oksigjenit ishin me ujë dhe në katër apo pesë minuta minimum, duhej të rimbushej sepse uji harxhohej, duhet të fusnim ujë që të funksionojë oksigjeni. Kështu që ishte e domosdoshme familjarë të rrinë aty. Unë nuk isha i vetmi, kam bërë shumë shokë e miq për 28 ditë”, Mumin Ismaili, dëshmitar i tragjedisë.

Për tragjedinë në modularin e Tetovës, ku jetën e humbën 12 pacientë dhe 2 familjarë të tyre, Prokuroria tashmë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore për tre persona fizik dhe një juridik. Dy të parët akuzohen në bazë të nenit 292 të Kodit Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme, ndërsa i akuzuari i tretë për veprën penale mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë. Në bazë të informacioneve të TV21 gjykatësi për këtë lëndë pritet edhe të caktohet më 16 gusht, me mbarimin e pushimeve të verës, ndërsa më pas duhet të mbahet seanca e parë gjyqësore.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *