Deputetja serbe i dërgon letër përfaqësuesve të OSBE/ODIHR-it: Mirë se vini në Serbi, një vend i errësirës mediatike, zgjedhjeve të vjedhura dhe institucioneve të kapur
Deputetja opozitare në Serbi i ka nisur një letër përfaqësuesve të OSBE/ODIHR-it duke u treguar realitetin e Serbisë dhe faktet mbi sjelljet e presidentit Vuçiq mbi qytetarët, mediat dhe aleancat me shtete autokrate si Bjellorusia.
Letra e plotë më poshtë:
Për Përfaqësuesit e OSBE/ODIHR
Ulvi Akhundlu dhe Raul Muresan
Të nderuar Zotërinj,
Mirë se vini në Serbi, një vend i errësirës mediatike, zgjedhjeve të vjedhura dhe institucioneve të kapur, duke u afruar çdo ditë më shumë me Bjellorusinë sesa me BE-në.
Tema e takimit që ju jeni ftuar ka të bëjë, siç thonë ata, për përpjekjet e vazhdueshme të aktorëve vendorë për t’iu përgjigjur rekomandimeve elektorale të ODIHR-it.
Megjithatë, ende nuk ka përparim apo përmirësim, asnjë përgjigje, sepse asnjë nga rekomandimet tuaja kryesore nuk është zbatuar. Qeveria ka injoruar detyrimet që dalin nga standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e ODIHR. Në vend të progresit, jemi dëshmitarë të vazhdimit të të njëjtave praktika, duke gërryer edhe më tej besimin e qytetarëve te zgjedhjet dhe institucionet.
Tani, ndërkohë që Serbia përballet me një krizë të rëndë politike dhe sociale, me një popullsi rebele të udhëhequr nga studentë që protestojnë për gati tre muaj në të gjithë vendin, duke kërkuar drejtësi dhe duke këmbëngulur që institucionet të bëjnë punën e tyre, dhe ndërsa opozita refuzon të marrë pjesë në zgjedhje të falsifikuara, qeveria po ju bën thirrje që të përsërisni rekomandimet tuaja edhe një herë.
Ne kishim një grup pune për përmirësimin e kushteve zgjedhore, i cili nuk arriti asgjë – asnjë propozim nuk u harmonizua dhe në fund u shkatërrua, pasi ishte thjesht një iluzion dhe manipulim që synonte t’i paraqiste publikut ndërkombëtar dhe të brendshëm se qeveria synon të përmirësojë kushtet zgjedhore.
Dështoi edhe përzgjedhja e anëtarëve të rinj të REM (Autoriteti Rregullator i Mediave Elektronike), pasi i gjithë procesi ishte i paligjshëm dhe opozita kërkon që të përsëritet. Të gjithë kandidatët e pavarur kanë tërhequr kandidaturat e tyre. Ndërkohë, nuk kemi asnjë REM funksional.
Hapësira mediatike mbetet e mbyllur dhe e njëanshme. Kanalet televizive të transmetuara në nivel kombëtar shërbejnë si mjete propagande për koalicionin qeverisës, ndërsa tabloidët synojnë këdo që mendon ndryshe. Në vend që të jetë zëri i të gjithë qytetarëve, transmetuesi publik RTS mbetet në shërbim të një partie të vetme politike.
Presidenti Vuçiq është shfaqur në televizionin kombëtar 352 herë në 365 ditët e fundit, ndërsa opozita ka pasur zero paraqitje.
Prandaj, unë ju pyes: kur do t’i shprehni qartë dhe me zë të lartë të gjitha këto, të cilat mund t’i shihni vetë? Dhe çfarë veprimesh do të ndërmerrni për të siguruar që rekomandimet kryesore të zbatohen pa vonesë? Pa këtë, raportet dhe rekomandimet tuaja mbeten thjesht fjalë në letër, ndërsa qeveria vazhdon të çmontojë demokracinë në Serbi.
Tatjana Pasic,
Anëtar i Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe Legjislacion
Rruga Press