Deputetja britanike që alarmoi për armët në kisha, kërkon shtim të trupave të KFOR-it në Kosovë
Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka bërë thirrje që 4.500 trupa shtesë të KFOR-it të vendosen në Kosovë, në mënyrë që sipas saj, të kontribuohet në ruajtjen e paqes.
Ajo ka deklaruar të hënën në rrjetin social X, i njohur si Twitter, se dislokimi i trupave të KFOR-it duhet të bëhet nga një grup më i madh i shteteve anëtare, derisa ka shtuar se KFOR-i e EULEX-i duhet t’u ndihmojnë institucioneve të Kosovës për hetimet mbi vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Kearns ka thënë se Britania e Madhe si anëtare e QUINT-it duhet të marrë rol në aktiv në dialogun Kosovë-Serbi.
“Mbretëria e Bashkuar si anëtare e QUINT-it duhet të marrë një rol më aktiv në dialogun e paqes ndërmjet Serbisë e Kosovës – pasiviteti aktual është i paqëndrueshëm. Britania e Madhe nuk është më e kufizuar nga konsensusi dhe mosnjohësit e BE-së, kështu që duhet të jetë më muskulore dhe dinamike në përpjekjet diplomatike. Ne kemi nevojë për një shtyllë kurrizore në Ballkan”, ka shkruar deputetja britanike.
Ajo ka theksuar se Qeveria e Serbisë duhet të angazhohet për normalizim të raporteve me Kosovën “dhe t’i japë fund retorikës radikalizuese dhe ndarjeve etnike që nxisin urrejtje”.
“Qeveria e Kosovës duhet të përvijojë përkushtimin e saj për të mbështetur komunitetet serbo-kosovare, duke siguruar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në demokraci pa ndërhyrje të pajustifikuara të huaja. BE-ja duhet të angazhojë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës për të mbështetur trajektoren e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, duke forcuar paprekshmërinë e integritetit të saj territorial”, ka potencuar tutje ajo.
Ajo ka thënë se Britania e Madhe ka më tepër përgjegjësi për të kontribuuar në suksesin e Kosovës, derisa ka përmendur se “duhet siguruar që të mos shohim kthim në brutalitetin e viteve të ’90-ta”.
“Policia e Kosovës do t’i hetojë grupet paraushtarake përgjegjëse për vrasjen e oficerit Afrim Bunjaku. Si financohen, armatosen dhe si transportojnë armë në/përreth Kosovës. Nga kush i marrin udhëzimet e tyre? KFOR-i dhe EULEX-i duhet të ndihmojnë hetimet dhe të ndajnë të gjithë inteligjencën mbi depot e armëve dhe lëvizjet me Qeverinë e Kosovës dhe vendet anëtare, për të ndihmuar në përgjigjen e shqetësimeve rreth përfshirjes së aktorëve të Beogradit në vrasjen e oficerit të policisë kosovare dhe bllokadat e orkestruara të rrugëve. Nëse imazhet fillestare janë të sakta, KFOR-i duhet t’i hetojë automjetet dhe sistemet e armëve që i kishte, ato që ne duhet të supozojmë tani për tani janë të rreme, ngjitëse që mbajnë emrin e tyre”, ka shtuar Kearns.
Rruga Press