Deputeti ukrainas në Kuvendin e Kosovës: Ukraina duhet ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës
Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka bërë thirrje nga Kuvendi që Ukraina duhet ta njohë sa më parë shtetin e pavarur të Kosovës.
Goncharenko krahasoi luftën për pavarësi të Kosovës me atë çfarë po ndodh sot në Ukrainë, ndërsa premtoi ndihmë që njohja nga shteti i tij të vijë sa më shpejt.
“Disa ushtarë ukrainas kanë vdekur në Kosovë në kuadër të KFOR-it, ata kanë qenë duke luftuar për sigurinë e Kosovës. Ne ndihemi të ngjashëm sepse kemi qenë pjesë e gjenocidit mbi ne. Njerëzit e Kosovës luftuan për pavarësinë dhe ne po luftojmë për pavarësi. Ukraina duhet ta njohë Kosovën si shtet i pavarur sepse ju luftuat për këtë gjë. Do të bëj çfarëdo që mundem të iu ndihmoj në këtë. Kosova është Evropë, unë besoj në këtë dhe do ta përfundojmë bashkë këtë”, ka thënë Goncharenko para deputetëve të Kuvendit të enjten.
Goncharenko gjithashtu premtoi mbështetje të parezervë që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, aty ku ka aplikuar këtë vit.
Deputeti ukrainas theksoi edhe një herë se duhet të ketë kujdes të shtuar pasi Rusia po përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.
Rruga Press