Deputeti britanik Vickers në Kosovë: Edhe pse s’jemi më në BE, do t’ju qëndrojmë afër
I dërguari i kryeministrit britanik për tregtinë për Ballkanin Perëndimor, deputeti Martin Vickers gjatë qëndrimit në Kosovë, ka thënë se e marrin me shumë seriozitet rajonin.
Ai ka theksuar se edhe pse Britania e Madhe nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian, do t’i qëndrojnë afër Kosovës.
“Fakti që Kryeministri Johnson e ka emëruar një të dërguar për Ballkanin Perëndimor tregon se e marrim shumë seriozisht rajonin. Edhe pse nuk jemi më pjesë e Bashkimit Evropian, të jeni të sigurt se ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër dhe të ndihmojmë”, citohet të ketë thënë ai, sipas një komunikate të lëshuar nga Qeveria e Kosovës pas takimit mes kryeminsitrit Kurti me deputetin Vickers.
Ndërkaq Kurti ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është partner i domosdoshëm i Kosovës,
Siç njofton Qeveria, ai e falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga Mbretëria e Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Zgjedhjet demokratike të para një viti, sollën legjitimitet e stabilitet institucional. Kjo ndihmon shumë dhe po rezulton në rritje të bashkëpunimit ekonomik, tregti dhe investime”, shtoi ai.
Qeveria ka shtuar se “Vickers, vlerësoi veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit”.
Lidhur me mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dyja vendeve, kryeministri veçoi potencialin e mërgatës së madhe që ka Kosova në Mbretërinë e Bashkuar dhe që ata mund të jenë si urë lidhëse.
Kryeministri Kurti tha që Ligji për Gjykatën Komerciale do të rrisë sigurinë për investitorët dhe bizneset.
Ai veçoi potencialin e vendit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK), procesimin e drurit dhe të metalit dhe bujqësinë dhe mundësitë e lidhjes së sistemit të edukimit me tregun e punës, nëpërmjet një sistemi të zhvilluar të edukimit dual.
“Duke biseduar për ballafaqimin me pandeminë COVID-19, kryeministri theksoi se dy të tretat e popullsisë të moshës mbi 16 vjeç tashmë janë të vaksinuar, ndërsa po vazhdon vaksinimi edhe me dozën përforcuese”, thuhet në komunikatën për media.
Deputeti britanik po qëndron për vizitë në Kosovë, ai sot ka takuar edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Rruga Press