Bota

“Demokracia është çështja më emergjente e kohës sonë”, Joe Biden: Trumpi do që ta sakrifikojë demokracinë për pushtet

Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se përpjekjet e Donald Trumpit për të rimarrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 2024 paraqesin një kërcënim të madh për shtetin. Ai këto komente i bëri më 5 janar, një ditë para 3-vjetorit të trazirave të dhunshme në Kongresin amerikan nga mbështetësit e Trumpit, të cilët tentuan ta mbanin atë në pushtet.

Vlera që amerikanët i kushtojnë demokracisë është “çështja më emergjente e kohës sonë”, tha Presidenti Joe Biden gjatë një fjalimi që nisi fushatën e tij të vitit 2024 në Pensilvani në prag të përvjetorit të tretë të sulmit të 6 janarit në Kapitolin e SHBA-së.

Duke folur në Pensilvani, Bideni tha se 6 janari i vitit 2021 ishte një moment “kur ne gati e humbëm Amerikën – i humbëm të gjitha”. Ai tha se gara presidenciale – që ka të ngjarë të jetë një përballje e re mes Bidenit dhe Trumpit, pasi ky i fundit po konsiderohet kandidati kryesor i republikanëve – ka të bëjë me atë nëse demokracia amerikane do të mbijetojë.

Biden, i cili iu rikthye jetës politike sepse ndjeu se mund ta mposhte Trumpin më 2020, beson se përqendrimi në mbrojtjen e demokracisë është thelbësor për të bindur votuesit që të mos e zgjedhin Trumpin sërish në postin e presidentit.

“Të gjithë ne e dimë se kush është Donald Trumpi”, tha Biden. “Pyetja të cilës duhet t’i përgjigjemi është se kush jemi ne?”.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Bideni foli edhe për rolin e Trumpit gjatë sulmit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan, kur një turmë e mbështetësve të republikanëve sulmuan ndërtesën në kohën kur ligjvënësit po certifikonin fitoren e Bidenit në zgjedhjet presidenciale. Mbi 100 policë u sulmuan nga turma, e cila hyri në ndërtesë.

“Çfarë bëri Trumpi? Ai i cilësoi ‘patriotë’ këta kryengritës”, tha Biden, duke shtuar se “ai u premtoi se do t’i falte nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë”. Presidenti amerikan tha se Trump “lavdëroi” në vend se të dënonte dhunën politike.

Të paktën nëntë presona vdiqën në Kongres gjatë ose pas trazirave të 6 janarit të vitit 2021.

Bideni tha se duke “tentuar që të rishkruajë faktet për 6 janarin, Trump po tenton ta vjedhë historinë në të njëjtën mënyrë sikurse tentoi të vidhte zgjedhjet”.

Trumpi, i cili përballet me 91 akuza penale, ku përfshihen edhe përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin zgjedhor presidencial, ka argumentuar se Bideni dhe demokratët e tjerë të lartë po tentojnë të minojnë demokracinë duke përdorur sistemin e drejtësisë për të penguar fushatën e rivalit të tyre kryesor.

Më 5 janar, Gjykata Supreme në SHBA u pajtua që të trajtojë rastin nëse emri i Trumpit mund të hiqet nga fletëvotimet për zgjedhjet e këtij viti për shkak të përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të katër vjetëve më parë.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Të premten, Trumpi përsëriti pretendimet e tij të rreme se ai kishte fituar zgjedhjet më 2020 dhe sërish i cilësoi si patriotë personat që sulmuan Kongresin.

Ndërkaq, gjatë fjalimit të tij, Bideni foli edhe për premtimet e Trumpit për hakmarrje ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

“Fushata e Donald Trumpit është për të. Jo për Amerikën. Jo për ju. Ai është i gatshëm të sakrifikojë demokracinë tonë, për të ardhur në pushtet”, tha presidenti amerikan.

Ai shtoi se “nuk ka konfuzion lidhur me atë se kush është Trumpi dhe çfarë synon të bëjë”.

Disa ditë pas trazirave të 6 janarit të vitit 2021, sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Kërkimore Pew, 52 përqind e të anketuarve në moshë madhore thanë se Trumpi kishte përgjegjësi për ngjarjet. Por, në fillim të vitit 2022, sipas një sondazhi të ri, kjo shifër zbriti në 24 për qind.

Ndërkaq, në një sondazh të kryer javën e kaluar nga Universiteti i Marilendit në bashkëpunim me Washington Post, 18 përqind e mbështetësve të republikanëve thanë se protestuesit që hynë në Kongres “ishin kryesisht të dhunshëm”. Kjo shifër ka rënë nga viti 2021 kur ishte 26 përqind. Ndërkaq, 77 përqind e demokratëve dhe 54 përqind e të pavarurve, të anketuar për këtë sondazh, thanë se protestuesit ishin kryesisht të dhunshëm.

Rruga Press

YouTube player