Deklarohet Bashkimi Evropian, mbron SPAK-un nga sulmet e Edi Ramës
Zëdhënësi i Komisionit Europian ka reaguar pas hetimit dhe debatit që po zhvillohet pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, duke mbrojtur SPAK-un dhe GJKKO-në.
Në një prononcim për gazetarin e News24, Osman Stafa, BE thekson se po ndjek nga afër zhvillimet për hetimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
“Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim. Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.
Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.”
Rruga Press