Deklaratë e Prof. Agim Vincës: Nominimi i Glauk Konjufcës për mandatar, shans për dalje nga ngërçi institucional
Deklaratë e Prof. Agim Vincës dhënë për MekuliPress
Albin Kurti e kaloi rubikonin. Pasi nuk arriti t’i merrte votat e duhura për Kryeministër, propozoi për këtë post bashkëpartiakun e tij Glauk Konjufcën.
Ky veprim i Kurtit duhet përshëndetur dhe përkrahur pa rezervë. Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës dhe kryetari i Vetëvendosjes u ngrit mbi sedrën personale për hir të interesit të përgjithshëm dhe ofroi alternativë.
Cili lider partiak në hapësirën shqiptare e bën këtë? Asnjë.
Shumë vjet më parë po ky Albin ia pati lëshuar vendin e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymerit, i cili, pas largimit nga ky subjekt, tok me disa të tjerë, është katandisur në analist që për çdo natë derdh helm e vrer ndaj ish-kolegëve të vet partiakë.
Mirëpo, ç’ndodhi? Menjëherë pasi Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e dekretoi kandidaturën e Glauk Konjufcës për mandatar të qeverisë, një veprim i drejtë e i arsyeshëm dhe plotësisht në përputhje me Kushtetutën, partitë opozitare, pjesa dërrmuese e medias dhe një zhgan i tërë opinionistësh u ngritën kundër këtij veprimi, duke sharë e sulmuar mbarë e prapë.
Glauk Konjufca ka dëshmuar se është i denjë për të drejtuar institucionet shtetërore. Si kryetar i Kuvendit, një mandat të plotë, ai tregoi integritet politik e njerëzor dhe mbajti qëndrim balansues në raportin pozitë-opozitë.
Edhe gjatë periudhës së stërzgjatur për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ai ishte i pranueshëm për kryekuvendar, kurse tani jo, nuk bën kurrsesi për mandatar, sepse, siç tha një i ashtuquajtur analist, “është njeri më i keq edhe se Albin Kurti”.
Ja me çfarë parametrash vlerësohen njerëzit e politikës ndër ne, si të ishin pjesëtarë të ndonjë organizate bamirëse ose dishepuj të Nënë Terezës!
Refuzimi i mandatarit të dytë të Vetëvendosjes për kryeministër të Republikës së Kosovës, tregon qartë se kush po e bllokon krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke kërkuar zgjedhje të reja pa u miratuar buxheti i vitit vijues.
Albini nuk bën, as Abulena, as Glauku, edhe pse ata janë fitues të zgjedhjeve dhe ndër më të votuarit jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në ato të mëparshmet!
Si qytetar i këtij vendi u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ngrihen përmbi interesat partiake e personale për hir të interesit kombëtar e shtetëror.
Rruga Press

