Editorial

Deklarata e plotë e Ndihmës Sekretares së Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, znj. Karen Donfried në takimin me Kryeministrin Kurti

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried zhvilloi të hënën e 25 prillit takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë. Më poshtë sjellim deklaratën e plotë të znj. Karen Donfried mbi situatën aktuale në Kosovë, marrëdhenien e Kosovës me Serbinë si dhe progresin e Qeverisë Kurti:

Kryeministri dhe unë kemi pasur rast të flasim vetëm në telefon, prandaj është kënaqësi e posaçme për mua të takohemi personalisht në një ditë kaq të bukur, dhe përderisa po ateroja në aeroport kisha një pamje spektakolare të vendit tuaj të bukur.

Jam këtu në një kohë sfiduese për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor. Lufta e ashpër dhe e paprovokuar kundër Ukrainës, është alarm për shumë prej nesh. Përkundër progresit me shumë mund që e kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova dhe partnerët e tjerë demokratikë, ne nuk duhet kurrë ta marrim paqen ose institucionet tona demokratike si të mirëqena.

Duhet të përpiqemi çdo ditë që t’u shërbejmë qytetarëve tanë. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ta shohin Kosovën të zë vendin e saj në institucionet europiane dhe euro-atlantike. Kjo është arsyeja që ne i japim prioritet aq të lartë përkrahjes së dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, që t’i ndihmojmë Kosovës të arrijë normalizimin e marrëdhenieve me në qendër njohjen e ndërsjellë me fqinjin tuaj, Serbinë.

Statusquoja është e paqëndrueshme, dhe jo vetëm që bëhet pengesë për të ardhmen europiane të Kosovës dhe të Serbisë, por i shkon për shtati edhe Kremlinit. Rusia dëshiron që të thyejë unitetin dhe konsolidimin demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor, do që të sigurihet që ju dhe fqinjët tuaj të mos integroheni në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ajo beson që një Ballkan më i fuqishëm, më me prosperitet e demokratik është kërcënim për ndikimin e saj. Marrëdhëniet më të mira mes Kosovës dhe Serbisë e kërcënojnë aftësinë e Rusisë që të përçajë dhe të ngjallë frikë.

Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjeshtë: Kosova dhe Serbia  duhet të ulen së bashku dhe urgjentisht të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me ndihmën e fuqishme të Shteteve të Bashkuara. Unë dhe Kryeministri diskutuam hapat e ardhshëm në dialog dhe se sa e rëndësishme është kjo për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Synimi ynë është synimi juaj: një marrëveshje që normalizon marrëdheniet, me qendër njohjen e ndërsjellë. Angazhim urgjent, kreativ, fleksibil, si dhe përpjekjet e sinqerta dhe në mirëbesim edhe të Kosovës edhe të Serbisë, do të çojnë drejt përfitimeve afatgjata për të gjithë qytetarët, përfshirë rritjen ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë.

Jam e vetëdijshme për shqetësimet e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për sigurinë e Kosovës në këtë kohë të trazuar. Ju siguroj që përkushtimi i Shteteve të Bashkuara dhe ai i aleatëve dhe partnerëve tanë mbetet i hekurt. Kosova është nikoqire e zbarkimit më të madh të NATO-s, KFOR-it, me mision e mirëmbajtjes së paqes dhe stabilitetit. Me Kryeministrin diskutuam për udhëheqjen që tregoi Qeveria e tij gjatë vitit të kaluar, posaçërisht në çështjet humanitare. Shtetet e Bashkuara janë thellësisht mirënjohëse për vullnetin e Kosovës që përkohësisht të strehojë afganët në Kampin Bondsteel. Duke ju falenderuar mikpritjes dhe bujarisë suaj të jashtëzakonshme, afër 600 afganë – familje, burra, gra dhe fëmijë udhëtuan nëpërmjet Kosovës për të filluar jetën e re në Shtetet e Bashkuara. Këto familje padyshim që do ta konsiderojnë Kosovën gjithmonë si shtëpinë e tyre të dytë. Po ashtu dua ta falenderoj Kryeministrin për udhëheqjen që tregoi në rastin e Ukrainës për solidaritetin e Qeverisë me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe për ofrimin e përkrahjes humanitare për refugjatët. Ashtu siç vepruat për afganët, tani po tregoheni për refugjatët, gazetarët ukrainas.

Në fund, dua ta falenderoj Kryeministrin Kurti për udhëtimin në Shtetet e Bashkuara, nesër në mëngjes, për të nderuar në funeralin e saj ish-Sekretaren e Shtetit, Madeline Albright. Siç e dini Sekretarja Albright ishte thellësisht e përkushtuar për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane. Ju siguroj se përderisa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e partnerët tanë janë të përqendruar në luftën e ashpër dhe ndikimin e saj përtej Ukrainës, përkushtimi ynë për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor nuk është lëkundur kurrë. Dhe Kryeministri edhe unë jemi të përkushtuar që të thellojmë edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit shumë,

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *