David Cameron sot në Tiranë/ Vizitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar
Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron, do të mbërrijë ditën e sotme në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare. Cameron pitet të mbërrijë në vendin tonë në mesditë, ndërsa është zbardhur dhe axhenda e takimeve që sekretari i jashtëm britanik do të mbajë me krerët e shtetit në vendin tonë.
Mësohet se Cameron do të pritet nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani. Më pas zhvillojë fillimisht një takim me kryeministrin Edi Rama dhe në orën 12:50 do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ndërkohë në orën 14:30, sekretari i Jashtëm britanik do të jetë në Presidencë, ku do të pritet nga kreu i shtetit, Bajram Begaj.
Lidhur me vizitën ka reaguar edhe Ambasada Britanike në Tiranë e cila ka zbardhur fokusin e vizitës së Cameron. Ambasada njofton se Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.
Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.
Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.
Rruga Press