DASH: Presim nga Serbia që autorët e sulmit në Banjskë të japin përgjegjësi pa vonesa
Në përvjetorin e parë të sulmit në Banjskë të Zveçanit, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë që autorët e sulmit në Banjskë, në shtator të vitit të kaluar, të japin përgjegjësi pa vonesa. Derisa thirrje që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë kanë bërë edhe ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-it, si dhe Bashkimi Evropian.
SHBA-ja e ka përsëritur thirrjen ndaj Serbisë që autorët e sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar të japin përgjegjësi pa vonesa.
Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se të gjithë të përfshirët duhet të sillen para drejtësisë”:
“Të gjithë ata që janë përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023, duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.
Thirrje në përvjetorin e parë të sulmit në Banjskë kanë bërë edhe ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-it. Ata kërkuan që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë.
Thirrje të tilla ka bërë edhe Bashkimi Evropian.
Të martën është bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjskë.
Në Kosovë janë mbajtur disa aktivitete për të nderuar heroin Afrim Bunjaku. Një rrugë rajonale që çon për në Banjskë ka marrë emrin e Bunjakut.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe 44 personave të tjerë.
Ata akuzohen se me dhunë e me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusnin pjesën veriore dhe t’ia bashkonin Serbisë.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale si “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”, si dhe “Shpëlarja e parave”.
Sipas aktakuzës, shteti i Serbisë ia vuri në dispozicion grupit të Radoiçiqit infrastrukturën ushtarake dhe i ofroi armë.
Po ashtu, në dokument theksohet se Radoiçiq u fuqizua duke siguruar tenderë në vlerë rreth 100 milionë euro, shumica nga shteti serb, por edhe nga buxheti i Kosovës.
Rruga Press