Dalin të dhënat/ 30 mijë persona rezultojnë të papunë në periudhën janar-shtator
Në tremujorin e tretë të këtij viti, të punësuarit me pagë që deklarohen në tatime dhe paguajnë sigurime, kanë pësuar rënie të ndjeshme në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në raport me të dhënat e raportuara nga Anketa e Tregut të Punës. Të dhënat nga INSTAT, që u referohen të dhënave administrative (të punësuarit me pagë të deklaruar zyrtarisht) tregojnë se, numri i të punësuarve ka rënë me 30 mijë persona gjatë 9 muajve të 2020-s, në krahasim me fundin e 2019-s.
Kjo shifër është dy herë më e lartë se raportimet nga Anketa e Forcës së Punës (të papunë konsiderohen personat që ishin pa punë gjatë javës së referencës (as nuk kishin një punë dhe as kryen ndonjë punë (për një orë ose më shumë) kundrejt një page ose përfitimi), nga e cila, numri i të punësuarve në raport me fundin e 2019-s ka rënë me rreth 16 mijë persona. Sipas të dhënave administrative, shihet se nga totali prej 29 mijë e 600 personash, që kanë humbur punën gjatë një viti, mbi 10 mijë i takojnë sektorit privat, 17 mijë sektorit bujqësor dhe 1600 persona, sektorit shtetëror (për të papunët në sektorin bujqësor, të dhënat administrative i referohen Anketës së Forcës së Punës).
Në 6-mujorin e parë, sipas të dhënave administrative, por dhe atyre nga Anketa, dolën të papunë rreth 50 mijë persona, si rrjedhojë e karantinës së ashpër, që detyroi mbylljen e qindra bizneseve dhe goditjes që eksportuesit morën nga rënia e porosive nga partnerët e tyre jashtë. Ndërsa në 3-mujorin e tretë, të dhënat administrative tregojnë një rimëkëmbje të dobët, ku 30 mijë persona ende janë jashtë tregut të punës, ndërsa sipas Anketës, vetëm rreth 16 mijë persona që nuk u rikthyen në punë.
Kriza e pandemisë u shndërrua në krizë ekonomike në të gjithë botën duke ndikuar negativisht, ndër të tjera, edhe punësimin. Eurostat gjeti se prej pandemisë, punësimi shënoi rënie vjetore në vendet e BE-së me mbi 5%. Më e goditur shihet se ka qenë shtresa e mesme. Por qeveria shqiptare u shpreh optimiste për uljen e papunësisë së krijuar nga pandemia Covid-19, ndërsa parashikimet më të fundit nga Ministria e Financave tregojnë se, vitin e ardhshëm do të shuhen të gjitha efektet që u dhanë në punësim.
Sipas projeksioneve zyrtare të Ministrisë së Financave të azhurnuara në treguesit e rishikuar makroekonomikë, norma e papunësisë më 2021 pritet të arrijë në 10.9%, në një nivel më të mirë se para krizës. Rënia e papunësisë në vitet në vijim, më shumë sesa oferta që vjen nga tregu i punës, pritet të shkaktohet nga zhvillimet demografike në vend.
Shqipëria, vitin tjetër hyn në ciklin e plakjes së shpejtë të popullsisë, e për rrjedhoje, nis edhe tkurrja e forcës së punës. Tkurrja e forcës së punës, e kombinuar me emigracion të lartë, do të çojë në ulje trendin e papunësisë, e cila gjithsesi mbetet në nivele më të larta se në Europë.
Produktiviteti i ulët i punës është bërë shkak që popullsia të zhvendoset në vende të tjera ku fitimet nga puna për të njëjtin profesion janë më të larta se në Shqipëri. Kjo ka qenë më e dukshme për profesione si mjekësia, IT dhe profesione të tjera me kualifikim të ulët./Monitor/