Dalin përgjime të reja nga dosja e SPAK për Belinda Ballukun – Bardhi publikon komunikimet mes saj dhe Evis Berberit
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar sot në Facebook dy foto nga dosja hetimore e SPAK që, sipas tij, përfshin përgjime të reja mes zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi.
Sipas dokumenteve të publikuara, komunikimet janë zbuluar në aparatin celular “Blackberry” të sekuestruar Berberit gjatë hetimeve për procedime tenderimi. Në dosje citohet se më 26 janar 2021, Balluku dhe Berberi kanë shkëmbyer disa mesazhe në lidhje me ndryshimin e kritereve të një tenderi për ndërtimin e tunelit:
Belinda Balluku (12:25): “Një pyetje.”
Evis Berberi (12:25): “Po.”
Balluku (12:26): “Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperiencën e objekteve të ngjashme nga 5 vite në 3???”
Berberi (12:26): “Kërkoi Pellumbi të jetë 3 nga 5 vitet e fundit.”
Balluku (12:27): “Po ç’ne? Kush e bëri kërkesën e KPP?”
Berberi (12:27–12:31): “Në takimin që patëm më 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin, ai kërkoi të jetë 3 nga 5 vitet e fundit.
Sipas VKM, eksperienca duhet kërkuar tre vitet e fundit. Ndërkohë që ai s’e kishte dhe e lamë 3 nga 5 vitet e fundit.
Po Arta më tha që e kishte diskutuar me ty para takimit me Pellumbin.”
Këto komunikime, sipas Bardhit, tregojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kriteret e tenderave publikë.
Në postimin e tij, Bardhi shkruan se është “i tronditur nga dosja penale e një zëvendëskryeministri që e trajton shtetin si oborrin e shtëpisë”. Ai akuzon qeverinë Rama për “kapje të shtetit” dhe thekson se opozita do të bëjë transparencë të plotë për aferën korruptive të Ballukut.
“Procedimi penal nr. 181, viti 2024, që ka nisur mbi bazën e kallëzimit tonë, nuk do të jetë kurrë i plotë nëse paratë e korrupsionit nuk kthehen në buxhetin e shtetit,” – shkruan Bardhi.
Në fund, ai ironizon pozicionin e Ballukut në qeveri, duke thënë:
“E pandehura Belinda Balluku mendoj se duhet të udhëheq procesin e integrimit europian. Me atë rast, i tregon edhe BE-së sesi mund të bëjnë korrupsion dhe sesi ndahen tenderat për qoka pushteti.”
SPAK ende nuk ka reaguar lidhur me publikimin e këtyre dokumenteve.


Rruga Press

