Dalin emrat e pasagjerëve, ja kush ishte në avionin e rrëzuar ku humbi jetën Prigozhin
Lideri i mercenarëve të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin është konfirmuar si një prej 10 viktimave që ndodheshin në bordin e avionit privat Embraer-135, sipas Agjencisë Federale të Transportit Ajror në Rusi.
Agjencia ka konfirmuar po ashtu se nga rrëzimi i avionit të mërkurën në mbrëmje në rajonin Tver, ka humbur jetën edhe numri dy i Wagner, Dmitry Utkin.
“Dmitry Valeryevich Utkin, Heroi i Rusisë dhe mbajtësi i katër Urdhrave të Guximit, i njohur gjithashtu në të gjithë botën me nofkën Wagner, i cili ishte dhe edhe pas incidentit do të jetë komandanti i përhershëm i grupit Wagner – vdiq si rezultat i veprimeve të tradhtarëve të Rusisë. Por edhe në ferr ai do të jetë më i miri! Lavdi Rusisë!”, thuhet në një reagim të grupit mercenar në Telegram.
Utkin, i njohur dhe me nofkën Wagner është në listën e pasagjerëve ku bëjnë pjesë edhe Sergei Propustin, Evgeny Makaryan, Alexander Totmin, Valery Chekalov dhe Nikolai Matyuseev.
“Aeroplani Embraer-135 po fluturonte në bazë të një leje për të përdorur hapësirën ajrore”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Federale të Transportit Ajror ku bashkëngjitur listohen emrat e pasagjerëve.
Ndërkohë, edhe ministria ruse e Emergjencave ka njoftuar se të 10 personat në bordin e avionit privat kanë vdekur.
“Aeroplani Embraer po fluturonte nga Sheremetyevo për në Shën Petersburg. Në bord ndodheshin tre anëtarë ekuipazhi dhe shtatë pasagjerë. Të gjithë vdiqën”, tha një zyrtar i ministrisë për TASS.
Përplasja fatale ndodhi pranë fshatit Kuzhenkino, 60 milje larg Moskës dhe rreth 30 minuta pasi avioni ishte ngritur në ajër.
Rruga Press