KryesoreLajme

Dalin detajet e aktakuzës ndaj pesë personave për falsifikim dokumentesh e shpëlarje parash

Ekrem Lluka, pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës”, bashkë me Korab Llukën, Klodian Allejbeun pronar i “American Hospital Kosova” me Igli Larashi si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj, po akuzohen se kanë shpëlarë para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës.

Gjithë këto veprime, pesë të akuzuarit ngarkohen se i kanë bërë kur e kanë kuptuar se po hetohen nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Prokuroria Speciale.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila jep detaje se si këta pesë persona kishin prezantuar fatura dhe dokumente me subjekte që nuk ishin të regjistruara me qëllim që të legjitimonin transaksionet bankare dhe të përfitonin mbi 3 milionë euro.

Edlira Malaj ngarkohet se si pronare e “Medbrand KS” ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe i ka dërguar në ATK. Sipas Prokurorisë, dokumenti i falsifikuar i përdorur ka qenë kontrata për shitblerje mes “Medbrand KS” dhe “American Hospital Kosova” më 23 tetor 2014, ani se “Medbrand KS” s’ka qenë i regjistruar si subjekt në atë kohë kur është arritur marrëveshja. Për dokument të falsifikuar për shitblerjen në fjalë në vlerë të 4.7 milionë eurove, akuzohen edhe Klodian Allajbeu (aksionar në American Hospital Kosova) dhe drejtori i spitalit Igli Larashi.

Malaj, Larashi dhe Korab Lluka (si përfaqësues i Qendrës Kardiake të Kosovës) akuzohen se kanë nënshkruar dokumente të falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme. Ata ngarkohen se në mars 2021 kanë nënshkruar kontratë të datës 23 dhjetor 2020 e të cilën ia kanë dorëzuar ATK-së me qëllimin se kinse e kanë nënshkruar dokumentin para nisjes së hetimeve ndaj tyre. Aktakuza thotë se ky veprim u krye me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të pagesës prej 1.5 milionë euro nga ana e “American Hospital Kosova” dhe Qendrës Kardiake të Kosovës”.

Veç kësaj, pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Allajbeun, Malajn dhe Korab Llukën për nënshkrimin e dokumentit të falsifikuar dhe të rremë si “Aneks kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 22.03.2021 me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të faturës mes “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës” në vlerë prej 1.5 milionë euro.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Malajn dhe Ekrem Llukën si pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se në bashkëkryerje kanë nënshkruar dokument të falsifikuar dhe të rremë dhe të njëjtin ia kanë paraqitur AKT-së me qëllim që ta vënë në lajthim ATK-në se kinse shitblerjen e pajisjeve nga “Qendra Kardiake e Kosovës” te “Medbrans Ks”.

Lexo më shumë  Feraj shpjegon logjikën e opozitës: Duam të qeverisim, sepse nuk kemi logjikë!

Një tjetër pikë e aktakuzës e ngarkon sërish Malajn bashkë me Korab Llukën për nënshkrim të dokumenteve të falsifikuara dhe të rreme me qëllim që ta vënë në lajthim ATK-në me qëllim për të justifikuar mosdeklarimin e faturës në vlerë prej 1.5 milionë euro.

Klodian Allajbeu akuzohet se kishte përdorur tri dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Policinë e Kosovës me qëllim të vënies në lajthim të Policisë dhe Prokurorisë për blerje të pajisjeve nga “Medbrand KS” ne vlerë prej 4.7 milionë eurosh.

Pika tjetër i ngarkon sërish Malajn, Allajbeun, Larashin, Ekrem Llukën dhe Korab Llukën se duke përdorur dokumente të falsifikuara arrijnë të realizojnë para të paligjshme në vlerë prej 3.5 milionë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, duke përdorur dokumente të falsifikuara arrijnë të maskojnë, të fshehin natyrën e burimit të vërtetë, t’i konvertojnë dhe transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale brenda dhe jashtë Kosovës, për t’i marrë më vonë në posedim dhe shfrytëzim si para të ligjshme.

“Ashtu që e pandehura Edlira Malaj pasi themelon subjektin “Medbrand KS”, më 05.11.2014 se bashku me të pandehurin Klodian Allajbeu dhe Ekrem Llukën përpilojnë dokumentin e falsifikuar “Kontratë për shitblerje” datë 30.05.2014 sipas të cilit subjekti juridik “Medbrand KS” kinse dhe me qëllim të ekzekutojnë kontratën e lartëcekur gjatë vitit 2015 lëshojnë në qarkullim edhe dy fatura të falsifikuara të datës 24.07.2015 në vlerë 1.572.842.00 euro të lëshuar nga “Qendra Kardiake e Kosovës për “Medbrand Ks” dhe faturën e datës 27.07.2015 në vlerë prej 4.709.999.98 euro, të lëshaur nga “MEdbrand Ks” për American Hospital Kosova”, thuhet më tej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Malaj kishte përfituar shumën prej 3.1 milionë euro ku pjesën më të madhe të këtyre mjeteve i transferon dhe i tërheq në Republikën e Shqipërisë si dividentë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kishte transferuar na Austri në llogari të saj dhe të djalit të saj Rigers Malaj.

Kështu, aktakuza i ngarkon për shpëlarje të parave Klodian Allajbeun, Ekrem Llukën, Korab Llugën Igli Larashin dhe Edlira Malajn.

“Nga data 10.08.2015 në vazhdimësi deri në vitin 2023, subjektet juridike të pandehura 1. “Medbrand KS” Sh.p.k me person përgjegjës njëherit pronare Edlira Malaj, 2. “American Hospital Kosova” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit aksionar dhe përfaqësues ligjor Klodian Allajbeu dhe drejtor ekzekutiv Igli Larashi, 3. “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit pronar dhe përfaqësues ligjor Ekrem Lluka dhe Korab Lluka, duke përdorur dokumente të falsifikuara të përshkruara si në dispozitivin “I deri VII”, arrijnë të realizojnë të hyra ose para të paligjshme në vlerë 3,482,000.00 Euro, të cilat para pastaj me qëllim që të duken si të ligjshme, duke i përdorur dokumente të njëjta, arrijnë ti maskojnë dhe t’ia fshehin natyrën ose burimin e vërtetë dhe ti konvertojnë (të blejnë prona të paluajtshme), transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale të pronarëve brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe ti shfrytëzojnë si para të ligjshme”, thuhet më tej në aktakuzë.

Lexo më shumë  Dhunuesit tash e tutje me hallka elektronike në këmbë, Haxhiu apel grave: Raportoni dhunën, mos jetoni të kërcënuara

Sipas aktakuzës, ata në vazhdimësi kanë kryer veprën penale Shpëlarje e parave e përcaktuar në nenin 308 lidhur me nenin 40 dhe 81 të KPRK-së nr. 04/L-082 dhe lidhur me nenin 56 par.1 nën par.1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Ekrem Llukën dhe avokatin e tij, por të dy kanë qenë të paqasshëm. Ndërkaq Hasan Shala, avokat i të akuzuarit Korab Lluka, është shprehur se nuk e kanë pranuar ende dokumentin e aktakuzës. Ai ka thënë se ka bashkëpunuar me Prokurorinë porse akuzat me të cilat janë njoftuar gjatë intervistimit “nuk qëndrojnë dhe se i mbrojturi i tij është totalisht i pafajshëm”.

“Nuk kemi asnjë dokument. Nuk mund të deklarohemi derisa nuk kemi asgjë zyrtare. Kemi marrë pjesë në hetim, kemi konsideruar se klienti im është i pafajshëm dhe akuza edhe për mua është befasi. Me asnjë provë prokurori nuk ka mundur të na bindë se ka dyshim të bazuar për ndonjë gjë”, ka thënë ai të shtunën.

Koha i ka shkruar edhe kompanisë “Medbrand”, por nuk ka kthyer përgjigje. Është kontaktuar edhe numri i telefonit që kjo kompani ka lënë në ARBK, por personi që është përgjigjur është shprehur se prej vjetësh numri i takon atij dhe se nuk e ka asnjë lidhje me kompaninë.

Përgjigje nuk kanë dhënë as në Spitalin Amerikan.

Është kontaktuar dhe i janë dërguar mesazhe edhe Klodian Allajbeut, por nuk është përgjigjur.

E Igli Larashi, drejtor i Spitalit Amerikan ka theksuar se sapo të njoftohet me aktakuzën do të përgjigjet ndaj saj përmes avokatëve të tij.  “Kur të njifemi me aktakuzën, ta marrim ditën e hënë do të flasin avokatët tanë, faleminderit”, ka thënë Larashi./Koha.net

Rruga Press

YouTube player