COVID-19 nuk ishte i vetmi: Ngjarjet që lanë gjurmë të thella në vitin 2020
Viti 2020 ishte një vit si asnjë tjetër më parë. Por edhe pse do të mbahet në mend më shumti për pandeminë e coronavirusit, kishte edhe ngjarje të tjera që dominuan këtë periudhë 12-muajshe.
Fundi i Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian
Deputetet e Evropës e kanë përkrahur marrëveshjen e Brexit me 621 vota pro dhe 49 kundër, duke i hapur kështu rrugën Mbretërisë së Bashkuar të largohet nga Bashkimi Evropian.
Eurodeputetët këndojnë dhe mbajnë duart e njëri-tjetrit pasi miratuan tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE gjatë një seance plenare në Parlamentin Evropian në Bruksel. 29 janar 2020
Harvey Weinstein u dënua me 23 vjet, për përdhunim dhe ngacmim seksual
Producenti i filmave, Harvey Weinstein, u shpall fajtor për këtë vepër në një gjyq të New York-ut.
Harvey Weinstein lë një gjykatë të Manhattanit pas një dite të dytë për gjyqin e tij mbi akuzat e përdhunimit dhe sulmit seksual. 16 janar 2020
Vdekja e Kobe Bryant
Superylli i NBA-së ndërroi jetë më 26 janar në një përplasje helikopteri së bashku me tetë persona të tjerë, përfshirë vajzën e tij 13-vjeçare Gianna.
Lëvizja Black Lives Matter e cila shpërtheu në SHBA, reflektoi edhe në nivel global
Kauza e Black Lives Matter apo BLM, shpërtheu pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd më 25 maj të vitit 2020.
Floyd vdiq pasi njëri prej oficerëve gjatë arrestimit të tij ia vendosi gjurin në qafë për gati 8 minuta.
Protestat që kishin për qëllim vetëdijësimin e aspektit racor dhe sjelljes së oficerëve, reflektuan edhe në shumë vende të botës.
Shpërthimi masiv që shkatërroi Bejrutin
Më 4 gusht, ndodhi një shpërthim masiv në portin e Bejrutit në Liban, që ia mori jetën 200 personave.
Një zjarr shkaktoi shpërthimin e 2,750 tonë të kimikateve, të cilat ishin të ruajtur në portin detar të kryeqytetit libanez.
Protestat në Bjellorusi
Protestat në Bjellorusi shpërthyen në gusht pas rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, ku doli sërish fitues Aleksandër Lukashenko. Ky i fundit thuhet se fitoi 80 për qind të votave.
Motivi i këtyre demonstratave lindi pasi opozita fajësoi Lukashenkon për manipulimin e rezultatit, derisa iu kërkua edhe dorëheqja e tij.
Protestat vazhdojnë ende edhe sot, por kryesisht gjatë fundjavës.
Helmimi i opozitarit rus Alexei Navalny
Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, më 20 gusht ishte helmuar me agjentin nervor Novichok.
Ai kishte filluar të ndihej keq derisa nga qyteti Tomsk po fluturonte për në Moskë. Aeroplani u detyrua të bënte ulje të paplanifikuar në Omsk të Siberisë.
Për një kohë të gjatë ai ishte trajtuar në një spital në qytetin e Berlinit të Gjermanisë.
Helmimi i opozitarit rus me Novichok ishte konfirmuar edhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.
Një hulumtim i përbashkët midis Bellingcat, The Insider, Der Spiegel dhe CNN, ka zbuluar të dhëna që implikojnë Shërbimin rus të Sigurisë (FSB) në helmimin e kundërshtarit të Vladimir Putinit.
Vdekja e Ruth Bader Ginsburg
Një anëtar i stafit vendos një foto të anëtares në Gjykatën e Lartë para mbajtjes së një ceremonie në shtet në Statuary Hall në Kapitolin e SHBA në Washington D.C, 25 shtator
Anëtarja e Gjykatës së Lartë në SHBA dhe kampionja e të drejtave të grave ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare më 18 shtator.
Vrasja e mësuesit në Francë
Një djalë 18-vjeçar me origjinë çeçene ia preu kokën një mësuesi në periferi të Parisit, pasi ky i fundit iu kishte demonstruar nxënësve të tij disa prej karikaturave të Profetit Muhamed në një orë civile mbi lirinë e shprehjes.
Abdullakh Anzorov ia preu kokën Samuel Patyt në mes të ditës, derisa u vra më pas nga policia.
Zjarret në Kaliforni, SHBA
Flakët masive që mbërthyen Kaliforninë ‘shkaktuan’ evakuimin e mijërave njerëzve në të gjithë shtetin. Kjo dukuri la disa persona të vdekur.
Eskalimi i dhunës në Nagorni-Karabaku
Në fund të muajit shtator filluan përpleshjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e diskutueshëm Nagorni-Karabaku.
Palët të cilat nënshkruan një marrëveshje armëpushimi me ndërmjetësimin e Rusisë, e shkelën atë ku u raportua për disa përplasje.
Kampi Moria
Kampi Moria në ishullin Lebsos të Greqisë që ishte shtëpi për mijëra migrantë u dogj në muajin shtator.
Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të SHBA-së
Kandidati i demokratëve, Joe Biden, fitoi zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, duke fituar kështu 306 vota elektorale.
Fitorja e tij u konfirmua më 14 dhjetor edhe nga Kolegji Zgjedhor në SHBA.
Vdekja e legjendës së futbollit, Diego Maradona
Ish-futbollisti argjentinas Diego Maradona, ndërroi jetë në moshën 60 vjeçare pas sulmit në zemër.
Astronautët u ngjitën për herë të parë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), me një kompani private
Kapsula e Spaxe X transportoi astronautët për Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, shtëpia e tyre e deri në pranverë.
Shpërthimi në Nashville të SHBA-së
Në ditën e Krishtlindjes u raportua për një shpërthim në qytetin e Nashville të SHBA-së, që la të lënduar tre persona si dhe dëmtoi disa ndërtesa.
Anthony Quinn Warner, 63-vjeçar që kreu “sulmin vetëvrasës”, ishte përgjegjës për shpërthimin e një automjeti në qendër të qytetit.
Para se të vdiste Warner thuhet t’i ketë thënë njëri prej fqinjëve të tij që “bota nuk do ta harronte kurrë atë”\