Sport

Conference League, Ballkani një hap larg grupeve, Struga shpreson përmbysjen

Përvec Partizanit, sot do të luajnë për historinë dhe dy skuadra të tjera shqiptare si Ballkani dhe Struga. Dardanët dhuruan spektakël një javë më parë, teksa mundën 4-1 gjigandët e Bate Borisov. Edhe pse rezultati është i thellë, për trajnerin Ilir Daja kualifikimi nuk është siguruar ende.

“Këto ndeshje nuk janë me 90 minuta, nëse kemi bërë mirë në ndeshjen e parë nuk ka vlerë nëse nuk paraqitemi njëlloj edhe në ndeshjen e dytë. Presim një kundërpërgjigje nga Bate dhe kjo e vështirëson pak punën. Ata që e njohin futbollin e dinë se ka lëvizje gjatë një ndeshje e le më nga ndeshja në ndeshja. Kemi gjithë javën që punojmë, kemi një grup të përgjegjshëm që nuk “fluturojnë” me një rezultat pozitiv. Atë që e kemi bërë në Kosovë duhet ta ruajmë këtu”, deklaroi Daja.

Nga ana tjetër, Struga luan ndaj islandezëve të Breidablik. Edhe pse skuadra e Shpëtim Duros u mund minimalisht në sfidën e parë, trajneri kryeqytetas tregon se nuk është dorëzuar dhe se do të japë gjithçka për kalimin në grupe: “Rezultati i ndeshjes së parë është në favor të kundërshtarit, pasi kemi humbur atë ndeshje në Ohër, por them që është një rezultat minimal dhe kam besim që skuadra do të japë maksimumin në këtë ndeshje për të luajtur, kjo pasi rezultati minimal i ka të gjitha mundësitë brenda. Iu kam thënë edhe futbollistëve që është një ndeshje 90 minuta që duhet luajtur me të gjitha mundësitë dhe pastaj të shohim përfundimin e ndeshjes”.

Dueli Breidablik-Struga do të luhet sot në orën 18:45, ndërsa Bate Borisov-Ballkani nis në orën 20:00.

Rruga Press

YouTube player