KryesoreOpinion/Aktualitet

Çmimi i grurit dhe miellit arrin nivelet më të larta në 6 vjet

Në fund të verës, një pjesë e furrave të bukës aplikuan rritje të çmimit të produktit me 10 lekë. Një nga shkaqet që çuan në këtë rritje, sipas përfaqësuesve të këtyre bizneseve, ka qenë edhe rritja e çmimit të miellit.

Në fakt, shifrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të përpunuara nga revista “Monitor”, tregojnë se duke filluar nga tremujori i fundit i vitit të kaluar është shënuar rritje e ndjeshme e çmimit mesatar të grurit dhe të miellit të importuar. Për nëntë muajt e parë të këtij viti, çmimi mesatar i grurit të importuar ka arritur në 32 lekë për kilogramë, në rritje me 14.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një tendencë e ngjashme po regjistrohet edhe në çmimet e miellit, por në përmasa më të kufizuara. Për 9-mujorin, një kilogramë miell u importua mesatarisht me çmim prej 46.3 lekësh, në rritje me 5% krahasuar me një vit më parë. Shifrat e muajve të fundit tregojnë një tendencë për rritje të mëtejshme. Në muajin shtator, një kilogramë grurë u importua mesatarisht me 35.1 lekë, duke arritur dhe duke tejkaluar çmimet që për herë të fundit ishin shënuar në vitin 2015.

Në pesë ditët e para të muajit tetor, çmimi mesatar i importit të grurit u rrit më tej në 35.8 lekë. Për sa i përket miellit, çmimi rekord në import u shënua në muajin korrik, me 48.6 lekë për kilogram, ndërsa edhe në shtator, çmimi mesatar arriti shumë afër kësaj vlere, me 47.6 lekë për kilogram. Në rastin e miellit, megjithatë, rritja e çmimeve mesatare të importit ka nisur që në fund të vitit 2018, ndërsa rritja që po shënohet gjatë këtij viti është disi më e kufizuar në krahasim me grurin.

Prodhuesit: Kemi rritur çmimet, por buka nuk është shtrenjtuar vetëm nga mielli

Roland Hysa, president i “Miell Tirana”, thotë për “Monitor” se që nga muaji gusht, çmimet e miellit për furrat e bukës janë rritur me 10%, për shkak të shtrenjtimit të grurit. Duke parë tendencën e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare, një rritje e mëtejshme duket se do të jetë e pashmangshme. Më datë 7 tetor, çmimi CIF për një ton grurë të importuar në Shqipëri ishte 365 USD, me një rritje prej më shumë se 45% që nga fundi i muajit gusht.

Adi Haxhiymeri, administrator i kompanisë “Bloja”, thotë se me këtë ecuri, edhe rritja e çmimeve të miellit është e pashmangshme. Ai parashikon një rritje çmimi të produktit të miellit deri në 12% brenda këtij viti.

“Unë do të thoja që për miellin e zakonshëm të bukës, çmimi ynë i shitjes për furrat mund të arrijë deri në 65 lekë/kg, nga 58-60 lekë për kg që është aktualisht. Këto janë projeksione të përafërta sigurisht, por tendenca duket kjo, nëse rritja e çmimit të grurit nuk ndalon. Problem nuk është vetëm lënda e parë bazë. Po shtrenjtohen edhe artikuj të tjerë ndihmës.

Është rritur çmimi i paletave. Është rritur çmimi i kartonit me 30-40%. Është rritur çmimi i qeseve për ambalazhin e produktit. Me rritjen e çmimit të naftës, çmimet do të rriten edhe më shumë, sepse rritet direkt kosto e transportit, por edhe kosto e të gjitha lëndëve të tjera të para që na duhen për prodhim. Këto janë të gjitha zëra që ndikojnë në mënyrë të qartë dhe direkte në kosto” – thotë ai.

Megjithatë, prodhuesit shprehen se rritja e çmimit të bukës që ka ndodhur në disa furra nuk ka ardhur vetëm nga rritja e çmimit të miellit. Sipas tyre, ka faktorë të tjerë me peshë edhe më të madhe, ku një nga më kryesorët është rritja e kostos së punës për furrat e bukës. Z. Hysa nga “Miell Tirana”, thotë se, në bazë të rritjes së çmimit të miellit prej 5 lekësh, duhet të shtrenjtohet edhe buka në vlerën 2.2 lekë, për një bukë 700 gramë. (1 kg bukë = 650 gramë miell).

“Ne mendojmë se nuk është mielli faktori i vetëm për rritjen e çmimeve të bukës dhe produkteve të tjera të brumit. Aty ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të produkteve të tjera, si vaji, margarina, gjalpi, sheqer dhe paketimi. Por, faktori kryesor i rritjes së çmimit të bukës mendojmë se është kosto e rritur e fuqisë punëtore dhe procesi i fiskalizimit.

Sot një furrxhi dhe një pastiçier nuk punojnë me pagat e para 2 viteve, por kërkojnë dyfishin e pagës, pasi nuk ka fuqi punëtore të kualifikuar. Edhe kërkesat e jetës janë rritur. Gjithsesi, buka shitet poshtë çmimeve të vendeve të tjera fqinje pasi çdo produkt që furra blen, importohet nga Italia ose Gjermania, ndërsa vendet fqinje i kanë prodhimet e tyre” – thotë z. Hysa.

Efekti i shtrenjtimit të produkteve të tjera ushqimore për një ekonomi lidhet, në radhë të parë, me peshën që zë ushqimi në strukturën e shpenzimeve të familjeve. Shqipëria është vendi me peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqim në Europë, me rreth 42% të shpenzimeve mesatare të familjeve.

Pesha e lartë e produkteve bazë të domosdoshme për mbijetesë në strukturën e shpenzimeve familjare është një tregues i tërthortë i varfërisë. Për këtë arsye, shtrenjtimi i ushqimeve dhe i produktit më elementar, bukës, është arsye shqetësimi për konsumatorët dhe sidomos për shtresën më të varfër të popullsisë. Z. Haxhiymeri nga kompania “Bloja” thotë se për ekonomitë ku ushqimi zë peshë të lartë në strukturën e shpenzimeve është e vështirë që efekti i shtrenjtimit të tyre të asimilohet pa ndërhyrje nga qeveria

“Kemi një problem: raporti që zënë taksat ndaj prodhimit kombëtar te ne është relativisht i ulët dhe nuk ka shumë hapësira për ulje. Shtrohet çështja nëse këtë valë shtrenjtimesh mund ta lëmë të përthithet pa ndërhyrje direkte të qeverisë dhe problemin t’ua lësh mekanizmave të ekonomisë së tregut. Kjo zgjidhje mund të funksionojë në ato ekonomi ku ushqimet zënë një peshë më të ulët në buxhetet familjare. Kur ushqimet zënë një peshë të lartë, është e vështirë që efekti nga një rritje e lartë e çmimeve të amortizohet pa ndërhyrje nga shteti” – thotë ai.

Sipas z. Haxhiymeri, mënyrat si mund të ndihmojë shteti për të zbutur krizën e shtrenjtimit të grurit janë disa.

“Disa shtete mund të kenë rezerva drithi që i hedhin në treg në periudha krizash me çmim të fiksuar. Shtetet që nuk kanë rezerva mund të dalin në treg, të blejnë grurë dhe ta shesin në tregun vendas me çmim të subvencionuar. Këto dy alternativa, tani për Shqipërinë, nuk mund të realizohen. Varianti tjetër është që të prekësh TVSH-në. Sigurisht, ka mendime që kjo masë nuk është efikase, sepse edhe kur ulet TVSH-ja, çmimet nuk ulen, por në këtë rast, mund të veprohet me një kontroll rigoroz mbi bizneset për të mos pasur abuzime, duke qenë se po flasim për produkte të veçanta.

Megjithatë, sigurisht që diferencimi i TVSH-së shtron sfida që lidhen si me bazën e të ardhurave, ashtu edhe me administrimin. Për ta thënë mund ta themi lehtësisht, për për të parë sa mund të realizohet duhet të jesh brenda mekanizmave të buxhetit dhe administrimit tatimor” – thotë z. Haxhiymeri.

Roland Hysa nga “Miell Tirana” thotë se për të kufizuar efektin në çmimet e miellit dhe nënprodukteve, nevojitet ulja e TVSH-së, subvencionimi i naftës dhe mbështetja për kredi për mjete qarkulluese.

“Një masë që mund të merret është ulja e TVSH-së së miellit dhe bukës në vlerën 6%, të paktën për periudhën kur çmimi i grurit është në nivele të larta. Një ndihmesë tjetër mund të jetë krijimi i mundësive për kredi për mjete qarkulluese, në mënyrë që të blejmë sa më shumë grurë, pasi tani për të njëjtën sasi importi, duhet dyfishi i mjeteve monetare. Gjithashtu, ne kërkojmë që nafta të subvencionohet për fabrikat e miellit dhe furrat e bukës” – thotë ai.

Lexo më shumë  Sulmohet stacioni policor në Zveçan, hidhen dy granata dore

Sipas tij, një nga kushtet më të domosdoshme për të përballuar këtë situatë është mosndryshimi i tarifës së energjisë elektrike për fabrikat e prodhimit të miellit dhe furrave të bukës, pasi ajo është element kryesor në kostot e industrisë së prodhimit të miellit dhe të bukës.

Pandemia, shqiptarët rritën sërish konsumin e bukës

Mielli, si lënda e parë për përgatitjen e bukës, është produkti ushqimor bazë për shumicën e popullsisë dhe sidomos për shtresën më të varfër. Sipas statistikave, Shqipëria importoi vitin e kaluar rreth 245 mijë tonë grurë, ndërsa prodhimi vendas arriti në 233 mijë tonë, në total rreth 478 mijë tonë. Këtyre iu shtohen edhe rreth 24 mijë tonë miell i importuar si produkt i gatshëm.

Duke marrë parasysh se gruri shkon pothuajse i gjithi për prodhim mielli dhe duke zbritur edhe eksportet modeste të këtyre produkteve (rreth 3 mijë tonë në 2020) mund të llogaritet se Shqipëria konsumon në vit afërsisht 500 mijë tonë miell. I përkthyer si konsum për frymë, rezulton se çdo shqiptar konsumon çdo vit rreth 175.8 kilogramë produkte të miellit.

Kjo shifër është rritur lehtë, me rreth një kilogram më shumë krahasuar me vitin 2019; megjithatë, rritja është domethënëse po ta krahasojmë me tendencën e viteve të mëparshme. Në vitet paraardhëse, konsumi i këtyre produkteve kishte shënuar një rënie me ritme të shpejta. Në vitin 2019, konsumi mesatar i nënprodukteve të grurit mes shqiptarëve ishte në rënie me 14.7% krahasuar me vitin 2015. Ajo që ka ndodhur në vitet e fundit është një tendencë në rënie e prodhimit vendas, ecuria e qëndrueshme e importeve të grurit dhe rënia graduale e importeve të miellit si produkt i gatshëm.

Në mënyrë të tërthortë, kjo tregon se te shqiptarët po përvijohej një tendencë për të konsumuar më pak nënprodukte të miellit, kryesisht bukë. Por, viti i pandemisë duket se e ka frenuar këtë tendencë rënëse dhe konsumi i këtyre produkteve ka shënuar rritje për herë të parë në pesë vitet e fundit.

Importet e miellit dhe grurit, rreth 8 miliardë lekë

Vitin e kaluar, Shqipëria importoi rreth 245 mijë tonë grurë, me një rritje të lehtë prej 0.8% krahasuar me një vit më parë. Në vlerë, importet arritën në rreth 6.9 miliardë lekë, me një rritje prej 8% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon qartë tendencën në rritje të çmimeve të blerjes së grurit nga importi.

Për sa i takon miellit, importet vitin e kaluar arritën në afërsisht 24 mijë tonë, afërsisht në të njëjtat nivele me vitin 2019. Tregu i importit të miellit gjatë vitit të pandemisë rezistoi në nivele të ngjashme, pas kishte pësuar rënie të ndjeshme për dy vite me radhë. Vlera e importeve të miellit për vitin 2020 arriti në 1.05 miliardë lekë, edhe kjo me një rritje të papërfillshme krahasuar me një vit më parë. Ndryshe nga sa ka ndodhur me grurin, vitin e kaluar, rritja e çmimit të miellit ishte shumë e lehtë, kryesisht sepse shtrenjtimi i produktit final kishte nisur që në vitin 2018.

Në total, importet e miellit dhe të grurit arritën një vlerë prej 7.9 miliardë lekësh, me rritje 7.1% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje erdhi kryesisht nga rritja e çmimeve për grurin si lëndë e parë në industrinë e blojës.

Tregjet e importit, dominojnë Rusia dhe Serbia

Statistikat tregojnë se për vitin e kaluar, tregjet kryesore nga importohej gruri ishin Rusia dhe Serbia. Importet nga këto dy shtete përbënin rreth 82% të importeve totale të grurit në Shqipëri. Në vendin e tretë renditet Ukraina, me rreth 6% të totalit, ndërsa tregjet e tjera kanë një peshë të vogël në strukturën e importeve të grurit.

Mbështetur në të dhënat historike, këto tre tregje kanë qenë dominuese në strukturën e importit të grurit për vitet e fundit. Sipas importuesve, gruri nga tregjet e Rusisë apo Ukrainës ofron një raport shumë të mirë mes cilësisë dhe çmimit, ndërsa gruri serb përgjithësisht ka cilësi më të ulët, por është më i lirë dhe kjo shpjegon peshën e rëndësishme që ka fituar në strukturën e importeve.

Prodhimi vendas, rënia u frenua në vitin e pandemisë

Sipas statistikave të INSTAT, vitin e kaluar Shqipëria prodhoi rreth 233.4 mijë tonë grurë. Krahasuar me një vit më parë, prodhimi vendas shënoi rritje shumë të lehtë, me rreth 200 tonë. Edhe ecuria e prodhimit të grurit duket se ka ndjekur një trajektore të ngjashme me atë të konsumit të nënprodukteve të tij. Duke filluar nga viti 2012, ecuria e prodhimit vendas të grurit kishte nisur një cikël të rënies së ndjeshme. Në 2012, prodhimi i grurit arriti nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit, me 300 mijë tonë.

Pas këtij viti, prodhimi ka shënuar tendencë në rënie, që është theksuar sidomos pas vitit 2017. Fermerët duket se janë shfaqur më pak të interesuar për grurin, duke e zhvendosur aktivitetin e tyre ndoshta drejt kulturave më fitimprurëse, të nxitura edhe nga skemat e subvencioneve. Në vitin 2019, prodhimi i grurit pati shënuar nivelin më të ulët në 13 vjet.

Por, në vitin 2020, prodhimi i është kthyer një rritje, sado të lehtë. Sipas statistikave, prodhimi i grurit në Shqipëri është i përqendruar në Qarkun e Fierit, me 29% të prodhimit të përgjithshëm, i ndjekur nga Qarku i Korçës me 20% të prodhimit total dhe nga Qarku i Elbasanit, me 16%. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të industrisë përpunuese, shifrat që ofrojnë Ministria e Bujqësisë dhe INSTAT për prodhimin vendas të grurit duhen marrë me shumë rezervë dhe sipas tyre janë larg realitetit. Në pjesën më të madhe, sipas tyre, prodhimi vendas i grurit shkon për nevojat familjare të fermerëve, ndërsa vetëm një pjesë e vogël, ndoshta më pak se 10 mijë tonë, hidhet në treg për shitje.

Eksportet modeste, por mielli është në rritje

Gruri dhe nënproduktet nuk hynë mes artikujve ku Shqipëria arrin të realizojë shifra shumë domethënëse në eksporte. Në veçanti, eksporti i grurit ka nivele të papërfillshme. Për vitin 2020, Shqipëria eksportoi gjithsej 360 tonë gruri, nga 650 tonë që kishte qenë sasia e eksporteve një vit më parë. Në vlerë, vitin e kaluar eksportet e grurit arritën shumën e 11.3 milionë lekëve, në rënie me 42% krahasuar me një vit më parë.

Për sa i takon miellit, tendenca e eksporteve në vitet e fundit është pozitive, megjithëse shifrat mbeten ende modeste. Viti 2020 shënoi eksportet më të larta historike të miellit, megjithatë edhe në këtë vit, raporti mes eksporteve dhe importeve ishte rreth 12%.

Vitin e kaluar, Shqipëria eksportoi rreth 2800 tonë miell, në rritje me 76% krahasuar me një vit më parë. Në vlerë, eksportet prekën shumën e 125 milionë lekëve, me një rritje prej 106% krahasuar me një vit më parë. Eksportet e miellit shkojnë kryesisht drejt vendeve të rajonit dhe tendenca në rritje tregon se industria e prodhimit të miellit po përpiqet të fitojë treg edhe jashtë vendit.

Kompanitë e mëdha nuk u rritën vitin e kaluar

Sipas informacioneve nga tregu, në Shqipëri, veprojnë aktualisht tetë fabrika të prodhimit të miellit, me kapacitete relativisht të mëdha, mbi 150 tonë prodhim në 24 orë. Përveç tyre, janë edhe disa fabrika me kapacitete më të vogla, përveç mullinjve të vegjël që punojnë për nevojat e zonave rurale.

Lexo më shumë  Rama nuk di ku të çojë paratë/ Sufiçiti i buxhetit arrin në mbi 720 milionë euro

Mbështetur në analizën e tregut të kryer nga Autoriteti i Konkurrencës vitin e kaluar, katër ndërmarrjet më të mëdha në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit dhe nënprodukteve të tjera në Shqipëri janë “Miell Tirana”, “Bloja” (me markën tregtare “Prima”), “Atlas” dhe “Agro Blend” (me markën tregtare “Diamond”). Të dhënat e pasqyrave financiare zyrtare tregojnë se vitin e kaluar, asnjë nga këto kompani nuk pati rritje domethënëse të xhiros. “Miell Tirana” ngeli kompania më e madhe për nga vlera e shitjeve, me xhiro totale në vlerën e 1.73 miliardë lekëve. Por, të ardhurat e saj pësuan rënie të ndjeshme me 16% krahasuar me një vit më parë.

Kompania e dytë më e madhe ishte “Atlas”, me një xhiro vjetore prej 1.57 miliardë lekësh, me rritje modeste prej 0.4% krahasuar me një vit më parë. Shumë afër qëndron kompania “Bloja”, me një xhiro totale në vlerën e 1.53 miliardë lekëve, rreth 0.5% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Kompania e katërt, “Agro Blend” ka në fakt aktivitet kryesor tregtimin e inputeve bujqësore dhe fidanëve. Pasqyrat e saj financiare nuk ofrojnë të dhëna të detajuara sipas llojeve të aktivitetit. Rrjedhimisht, ato nuk japin informacion domethënës lidhur me pozitat e kompanisë në tregun e nënprodukteve të grurit dhe dinamikën e biznesit në këtë segment.

Drejtuesit e kompanive prodhuese shpjegojnë se, në fakt, shitjet vitin e kaluar nuk shënuan rritje të mirëfilltë, pavarësisht perceptimit që u krijua në fazën e parë të pandemisë. Sipas tyre, shitjet e mëdha në muajt e parë të pandemisë u balancuan nga rënia e muajve të mëpasshëm, sepse njerëzit kishin blerë miell apo nënprodukte të tjera të grurit shumë më tepër nga sa u nevojiteshin.

Prodhuesit rritën fitimet, por marzhet ngelen modeste

Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës arriti në konkluzionin se kompanitë e mëdha të prodhimit të miellit kanë ndjekur një sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve të miellit. Megjithatë, të paktën po t’iu referohemi pasqyrave financiare zyrtare të kompanive, ato nuk tregojnë përfitime tipike për tregjet ku konkurrenca është e kufizuar. Megjithatë, në përgjithësi firmat i rritën fitimet dhe normat e fitimit krahasuar me vitin 2019.

Për vitin 2020, kompania me normën më të lartë të fitimit ishte “Atlas”, me 5.69%, në rritje nga niveli prej 2.91% i vitit 2019. Në vlerë, “Atlas” raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 89.4 miliardë lekëve, dy herë më shumë krahasuar me një vit më parë.

Kompania më e madhe për nga xhiroja, “Miell Tirana”, vitin e kaluar raportoi një normë fitimi para tatimit 3.16%, nga 1.47% që kishte qenë një vit më parë. “Miell Tirana” kishte një fitim para tatimit në vlerën e 55 milionë lekëve, në rritje me 80% krahasuar me një vit më parë.

Kompania “Bloja” raportoi një marzh fitimi edhe më të ulët, me më pak se 0.3%. Kompania raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 4 milionë lekëve, por që sidoqoftë është një rezultat më i mirë krahasuar me vitin 2019, kur pati pësuar një humbje prej 3 milionë lekësh.

Problemi me standardin e miellit

Një problem i ngritur prej vitesh nga prodhuesit vendas të miellit është mungesa e një detajimi në nomenklaturën e kombinuar të mallrave. Konkretisht, ata kanë kërkuar që të ketë një ndarje të qartë mes miellit me qëllim përgatitjen e bukës dhe miellit për qëllime të tjera (kryesisht ëmbëlsira).

Kërkesa mbështetet në kriterin e sasisë së proteinave që duhet të përmbajë mielli për përgatitjen e bukës. Sipas prodhuesve, shpesh mielli me përmbajtje të ulët proteinash që vjen nga importi përdoret edhe për prodhimin e bukës, në shkelje të kërkesave teknike dhe duke shkaktuar konkurrencë të pandershme.

Ky propozim është përkrahur edhe nga Autoriteti i Konkurrencës. Institucioni ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që në Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave, produkti miell i importuar të ndahet sipas karakteristikave, cilësisë së produktit, destinacionit përfundimtar të përdorimit të tij dhe përqindjes proteinike. Por, në përgjigjen e saj, MFE ka argumentuar se kriteret për ndarjen e produktit u referohen karakteristikave dhe qëllimit të përdorimit të tij pas importimit dhe këto elemente nuk disponohen nga autoriteti doganor.

Në këto kushte, është e nevojshme që paraprakisht, nga ana e Ministrisë përgjegjëse për Bujqësinë, të sigurohet nëse dhe sesi mund të garantohet nga pikëpamja dokumentare dhe procedurale, që deklarimi i llojit të produktit miell gruri pranë autoritetit doganor të jetë konform ndarjes së përcaktuar. Deri tani, një ndryshim i tillë në Nomenklaturën e Mallrave nuk është mundësuar dhe ende nuk ekziston një detajim i mëtejshëm për miellin e grurit, mbështetur në karakteristikat e produktit.

Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës

Tregu i importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit prej vitit 2018 u bë objekt i një hetimi të thelluar nga Autoriteti i Konkurrencës. Hetimi u mbyll me vendimin e datës 24.07.2020, ku u konstatua sjellja e bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, “Miell Tirana”, “Bloja”, “Atlas” dhe “Atlas Mills”, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje kanë bashkërenduar sjelljen, duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal.

Me gjithë konstatimin e sjelljes së bashkërenduar, Komisioni vitin e kaluar nuk ndërmori sanksione dhe u mjaftua me vendosjen e detyrimeve dhe me mbajtjen e tregut në monitorim për një vit. Vendimi ngarkonte firmat me detyrimet e parashikuara në nenin 4 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, që përkufizon sjelljet e klasifikuara si marrëveshje të ndaluara.

Më konkretisht, kompanitë nuk duhet të caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; nuk duhet të kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet dhe të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit.

Vendimi në fjalë nuk u ankimua nga kompanitë objekt hetimi, as në rrugë administrative pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe as në rrugë gjyqësore.

Në përfundim të monitorimit të tregut, që u mbyll në fund të muajit korrik të këtij viti, inspektorët arritën në konkluzionin se kompanitë “Agro Blend”, “Bloja”, “Miell Tirana” dhe “Atlas Mills” nuk kanë respektuar detyrimet e vendosura në vendimin e muajit korrik 2020.

Grupi i inspektimit dhe Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës i patën propozuar Komisionit vendosjen e gjobave ndaj katër ndërmarrjeve që veprojnë në këtë këto tregje, në shuma që varionin 3 – 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës. Në total, gjobat e propozuara preknin një shifër prej më shumë se 500 milionë lekësh, ose rreth 4.1 milionë euro. Neni 74 i ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” klasifikon si shkelje të rënda marrëveshjet e ndaluara dhe abuzimin me pozitën dominuese. Për këto shkelje, firmat mund të ndëshkohen me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore. Vendimi në fjalë ende nuk është zbardhur, ndaj nuk ka shumë informacion rreth provave që mbështetën kërkesën për gjobë.

Megjithatë, drejtori i Kabinetit të kryetares së Komisionit të Konkurrencës, Indrit Reka, tha për “Monitor” se raporti i monitorimit i dorëzuar nga Sekretariati, u miratua njëzëri dhe pa vërejtje nga anëtarët e Komisionit të Konkurrencës. Në mbledhjen e së mërkurës, shumica e tyre ishin të mendimit se raporti nuk provonte ekzistencën e shkeljeve të rënda të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe votuan kundër ndëshkimit me gjobë. Në favor të propozimit votuan vetëm kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Juliana Latifi, dhe anëtari, Eduart Ypi.

 MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *