Çmimet janë rritur nga taksat, jo nga lufta, qeveria rriti taksat në janar
Rritja e çmimeve të produkteve të shportës ka ardhur si pasojë e taksave të shtuara nga qeveria, dhe jo si shkak i luftës në Ukrainë. Sipas ndryshimeve ligjore për taksat kombëtare u vendos rritja e taksave duke nisur nga 120 deri në 150 lekë, rritje kjo e reflektuar që në janar.
Qeveria ka nisur një aksion propagande për të treguar se çmimi i produkteve të shportës është rritur si pasojë e luftës në Ukrainë. Sipas një vëzhgimi të kryer nga Syri TV, rezulton se rritja e çmimeve nuk e ka zanafillën nga lufta, por nga taksat e shtuara nga qeveria. Ndër produktet më të përdorura për konsum të përditshëm, janë ato të bulmetit dhe produktet me origjinë shtazore, për të cilat taksat janë rritur ndjeshëm.
Që në janar qeveria ka shtuar taksat për këto produkte. Referuar ligjit të ndryshuar, taksat për çdo lëndë të parë që përdoret nga fabrikat e bulmetit, përfshirë këtu hirrën dhe qumështin pluhur, janë shtuar duke nisur nga 120 deri në 150 lekë për litër apo kilogramë. (Pamje neni 2 i ligjit)
Kjo situatë ka prekur ndjeshëm edhe tregtarët e punishteve të vogla, të cilët kanë qenë të detyruar të rrisin çmimet e produkteve, por kanë humbur klientelën.
Edhe pse çmimet e këtyre produkteve kanë ndryshuar vazhdimisht në varësi të bursës, vihet re një rritje e ndjeshme e tyre.
Çmimet shumicë
Qumështi Pluhur
Dhjetor 2021
520-550 lekë/kg
Mars 2022
760 lekë/kg
Hirra Pluhur
Dhjetor 2021
460-480 lekë/kg
Mars 2022
660 lekë/kg
E njëjta situatë paraqitet edhe me produktet që shiten me çmim pakice. Nëse krahasojmë çmimet e muajit mars, me ato të muajit dhjetor të vitit të kaluar, diferenca është e dallueshme, ku çdo produkt ka pësuar rritje nga 10 deri në 50 lekë.
Çmimet pakicë
Dhjetor 2021 Shkurt 2022 Mars 2022
Qumësht 120 lekë 160 lekë 160 lekë
Kos 110 lekë 140 lekë 140 lekë
Djathë 500 lekë/kg 550 lekë/kg 550 lekë/kg
Gjalp 100 lekë 110 lekë 120 lekë
Por ndryshimet ligjore duket se kanë prekur më së shumti tregtarët dhe punishtet e vogla, duke sjellë rrezik monopoli. Kjo pasi nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, hirrë qumështi dhe krem qumështi, janë përjashtuar kompanitë që i importojnë vetë lëndët e para, që në vendin tonë janë vetëm 2, dhe kjo u jep atyre epërsi në treg. (Pamje neni 4 i ligjit)
Sipas ndryshimeve ligjore, duket qartësisht se rritja e çmimeve nuk ka ardhur si pasojë e luftës, por e taksave, të cilat janë rritur që në janar, duke reflektuar rrjedhimisht edhe rritjen e çmimit në produktet e shportës për konsumatorët.
Rruga Press