Lajme

Çmimet e larta – Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit për herë të parë pas 11 vjetësh

Banka e Shqipërisë vendosi sot të rrisë normën bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje duke e çuar atë në nivelin 1%. Lëvizja e sotme shënon rritjen e parë të normës bazë të interesit në ekonomi që prej marsit të vitit 2011.

Paralelisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë edhe rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore nga 0.9% në 1.9%, ndërsa mbajti të pandryshuar normën e interesit të depozitave njëditore në 0.1%.

Duke argumentuar vendimin për të rritur normën bazë, Guvernatori Gent Sejko, tha se goditja inflacioniste që ka shkaktuar sulmi i Rusisë në Ukrainë do të jetë më e fortë dhe më afatgjatë krahasuar me projeskionet e mëparshme. Inflacioni pritet të jetë i lartë dhe siëpr objektivit të Bankës së Shqipërisë të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Përditësimi i parashikimeve afatmesme tregon se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme. Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në afatin e mesëm.

Po ashtu, projeksionet tona tregojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv edhe në rast se goditja rezulton më e fortë se vlerësimet aktuale. Nga ana tjetër, goditjet e ofertës dhe qëndrueshmëria e kërkesës së brendshme pritet të pasqyrohen në norma më të larta inflacioni. Sipas skenarit bazë të parashikimeve, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022.

Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij,” tha Sejko.

Lexo më shumë  Aksion i madh i policisë: Arrestohen 20 persona, sekuestrohen 120 mijë euro

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës nënvizoi se, edhe pas kësaj lëvizjeje, qëndrimi i politikës monetare vijon të jetë stimulues për rritjen e ekonomisë, të punësimit dhe të pagave. Sejko tha se në realitetin e ri të krijuar, ky qëndrim ofron një balancë më të mirë midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të dëmtimit të rimëkëmbjes ekonomike.

Banka e Shqipërisë konstaton se ecuria e inflacionit në Shqipëri gjatë muajve të fundit është ndikuar nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë, të naftës, dhe të kostove të prodhimit e të transportit. Në terma makroekonomikë, trendi rritës i inflacionit pasqyron rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të kërkesës, rritjen e pagave dhe të punësimit, si dhe rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë dy tremujorëve të fundit.

Këto të fundit kanë qenë të larta gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar dhe janë vënë nën presion të shtuar nga tensioni gjeopolitik që shoqëron konfliktin në Ukrainë.

Raporti i ndërmjetëm i politikës monetare ka konkluduar se ecuria e mëtejshme e çmimeve do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e këtij konflikti, nga ndikimi që ai do të ketë mbi çmimet dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe nga qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në vend.

Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror.

Për rrjedhojë, projeksionet globale të inflacionit për dy vitet në vijim janë riparë për lart, ndërsa projeksionet e rritjes ekonomike janë riparë për poshtë. Po ashtu, pjesa më e madhe e bankave qendrore kanë përshpejtuar planet e tyre të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare.

Lexo më shumë  SHBA, Blinken uron 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Megjithë efektet e fazës së arë të goditjes inflacioniste, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja të qarta rimëkëmbjeje.

Rritja ekonomike ka pasur një bazë të gjerë. Ajo pasqyron zgjerimin e thuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë dhe përbërësve të kërkesës agregate. Në terma makroekonomikë, ajo është ushqyer nga përmirësimi i besimit, nga rritja e kërkesës së huaj, nga ambienti i favorshëm monetar dhe financiar, si dhe nga stimuli fiskal i dy viteve të fundit.

Vlerësimet tona sugjerojnë se kërkesa agregate po gjeneron një shfrytëzim thuajse të plotë të kapitalit dhe të punës. Rritja ekonomike është pasqyruar në rritje graduale të punësimit dhe përshpejtim të ritmit të rritjes së pagave.

Në veçanti, të dhënat e Instat-it tregojnë se punësimi u rrit me 2.1% në terma vjetorë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, ndërsa paga në sektorin privat u rrit me 10.2%. Norma e lartë e rritjes së pagave sugjeron se tregu i punës karakterizohet nga hapësira të pakta të pashfrytëzuara,” tha Sejko.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, politika monetare stimuluese ka gjeneruar tregje financiare të stabilizuara, norma të ulëta interesi dhe kushte të favorshme financimi. Kredia për sektorin privat u rrit me 11.8% në muajin shkurt, duke ilustruar një mbështetje në rritje me fonde, të konsumit dhe investimeve.

Trendi rritës i kreditimit është ndikuar si nga rritja e kërkesës së biznesit dhe të familjeve, ashtu dhe nga politikat e favorshme të kreditimit të aplikuara nga sektori bankar. Ky sektor vijon të karakterizohet nga bilance likuide e të shëndetshme dhe rënie e kredive me probleme. /MONITOR

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *