Editorial

Çka po synon pushteti i katërt?

Shkruan Hysamedin Feraj

Hamendësime:

Çka po synon pushteti i katërt? Të bëhet pushtet i parë? Mbase ekzekutiv? A po kristalizohet një parti e re politike?

Drejtuesit e disa mediave po lënë të kuptohet që po të jenë në krye të ekzekutivit do të zbatonin gjithë marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë nga qeveritë e mëparshme.

Ata po e mbajnë të zëshme këtë propagandë, duke lënë të kuptohet se janë të pakënaqur me drejtuesit e rinjë të PDK-së dhe LDK-së. Më të zëshmit e atyre medieve duket se janë më afër qëndrimeve të krahut të vjetër dhe më ekstrem të atyre partive, konkretisht më afër qëndrimeve të Isa Mustafës e të Hashim Thaçit, por po ashtu të Ramush Haradinajt.

■ Prandaj hamendësoj tri alternativa:

Ose do të vazhdojnë edhe më tej veprimtarinë si militant dhe si “degë” të këtyre partive për “rajonin e medies”; ose disa do t’i bashkohen drejtpërdrejtë ndonjërës prej tyre kur t’iu ofrohet posti i lakmuar; ose do të krijojnë një parti të re që e drejtojnë vetë.

■ “Programi minimal”

Deri tani duket se kanë arritur të formulojnë një “program minimal” të përbashkët me dy parti ekzistuese, rreth tri ideve:

1. Ta shpëtojnë Kosovën nga komunizmi dhe antiamerikanizmi.

Pjesa e parë e kësaj ideje i takon shpifjes “ideologjike” nga Ramush Haradinaj, pjesa e dytë shpifjes “strategjike” nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi, që të dyja nga “epoka Grenell”.

2. T’i zbatojnë marrëveshjet e dikurshme me Serbinë, ide e marrë kryesisht nga Isa Mustafa.

Fjala është veçanërisht për zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (Zajedinica), marrëveshjeve Hoti-Vuçiq të arritura në Washington në praninë e ish-Presidentit Trump dhe këshilltarit të tij e lobistit pro Serbisë, Richard Grenell.

3. Ta fajësojnë LVV-në edhe pse dikur i kundërshtonte edhe pse tani nuk po i shfuqizon marrëveshjet e qeverive të mëpashme në dobi të Serbisë e në dëm të shtetësisë të Kosovës.

Kjo pikë bie ndesh me pikën e dytë të tyre, por jo në kundërti me të sepse ka të bëj me mjetet e realizimit të dy pikave të para. Dhe mjetet e pandershme e jolegjitime qëndrojnë në harmoni e jo në kundërti me pandershmërinë dhe ilegjitimitetin e vetë programit.

• Ideja e parë, në të dy pjesët e saj, është përgënjeshtuar tashmë si shpifje nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nga çka doli u dokumentua mbas tyre, dhe nga vetë politika e sotme amerikane përgjithësisht, e veçanërisht nga masat e fundit të Departamentit të Shtetit kundër miqëve serbë të Ramush Haradinajt.

• Ideja e dytë është kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (GJKK) dhe, ose injorancë e sinqertë ose spekulim keqdashës, shpifje, lidhur me të drejtën ndërkombëtare. Sipas së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjet e paratifikuara nuk prodhojnë detyrim ligjor ndërkombëtar për shtetet. Marrëveshja Hoti-Vuçiq nuk është e ratifikuar, ndërsa ratifikimi i marrëveshjes për Zajednicën nuk është i vlefshëm ligjërisht për shkak të vendimit ndryshe të GJKK.

• Ideja e tretë ka të bëj me mjetet dhe taktikat e realizimit të “programit”. Siç del prej saj, mjetet e ardhjes së mundshme në qeverisje janë shpifja, hipokrizia, cinizmi. Të gjitha të motivuara nga etja për përdorimin e fitimit privat që sjell pushteti. Gjithsesi ajo është pjesë e rëndësishme e “programit”, sepse përvoja ka dëshmuar mjaftueshëm që partitë vazhdojnë të qeverisin me po ato mjete me të cilat kanë ardhur në qeverisje. Hipokrizi, sepse i kërkon qeverisë aktuale të shfuqizojë marrëveshjet ndërkombëtare për të cilat vetë ngulin këmbë që duhen zbatuar meqenëse Kosova e ka “detyrim ndërkombëtar” si shtet! Cinizëm, sepse nëse besojnë vërtetë që e ka detyrim zbatimin, kërkesa për shfuqizimin e tyre është vetëm keqdashje dhe cinizëm i kulluar. Nëse e dinë që, striktu sensu, nuk e ka detyrim zbatimin e atyre marrëveshjeve në gjendjen e tashme (të paratifikuar në mënyrë të vlefshme ligjore), atëherë është një shpifje e llogaritur me gjakftohtësi prej tyre lidhur me të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet e shteteve që rrjedhin prej saj.  

■ Gjithsesi, me këtë program minimal synojnë dhe shpresojnë:

Nga njëra anë të fitojnë mbështetje ndërkombëtare në prirjet politike të tipit Richard Grenell duke e zgjeruar me të tjerë dhe në vende të tjerë.

Nga ana tjetër, veç votuseve të tyre dogmatikë, shpresojnë ta zgjerojnë mbështetjen me elektoratin që me 14 nëntor iu duket i penduar për votën e 14 shkurtit. Këtë të fundit ta fitojnë duke i kërkuar të harrojë “të kaluarën” e rrënimit socio-ekonomik njëzetvjeçar, duke akuzuar qeverinë e tashme pse nuk  e ka realizuar brenda një viti programin e premtuar të realizohet për katër vite, duke theksuar vetëm problemet socio-ekonomike të qytetarit dhe duke shtyrë në harresë problemet politike të shtetasit të Kosovës me Serbinë.    

E tani,

■ Është legjitime që gazetarët të kenë ambicien me u bë politikan, siç ka ndodhur shpesh në praktikë, dhe po ashtu është legjitime që për këtë ambicie ta përdorin pushtetin që kanë aktualisht, domethënë median, ashtu siç këtë e përdorin edhe të tjerët. Zakonisht, para se ta marrin atë vendim, gazetarët duan t’u lënë përshtypje të mirë politikanëve ekzistues me analizat e tyre “më të thella” sesa këshilltarët që kanë, me vendosmërinë e tyre më të madhe se vetë politikanët aktualë, me këshillimin që u japin këtyre publikisht për çka do duhej bërë ndryshe dhe çka nuk do duhej të ishte bërë fare siç po bëhet. Me këtë duket sikur u thonë politikanëve aktualë: së paku na merrni për këshilltarë ose pranoni këshillat tona që po u japim “falas”, ose, përndryshe, na lironi vendin! Në mos, do t’ua zëmë vendin. Dhe, ndërkaq, duken të përmalluar për një vend që nuk e kanë në shoqëri, e të mërzitur pse realisht janë politikanë, por ende të dështuar. Dhe kur dikush ka këso ambicie politike, këto ndjenja deri diku janë rrjedhojë e natyrshme.

■ Nuk është legjitim vetëm “programi” i mësipërm i tyre dhe garimi me atë “program minimal” kundër pushteteve dhe politikanëve të tjerë aktualë.

Kjo e bën jolegjitim po ashtu përdorimin e pushtetit që kanë aktualisht për çuarjen para të atij projekti.

Legjitime nuk është as përdorimi i çdo mjeti si deri tani, veç për me ardhë në krye të pushteteve të tjerë.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *