Cili ishte shkaku i aksidentit tragjik në Greqi
Aksidenti tragjik me të paktën 38 të vdekur në zonën Tempes në Greqi i shkaktuar nga një përplasje e rëndë mes trenit të pasagjerëve dhe atij të mallrave, sipas informacioneve të para, dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor.
“Protothema” shkruan se pavarësisht qindra milionëve të shpenzuara gjatë 30 vjetëve të fundit në hekurudhën greke, mungesa e sistemeve moderne të sinjalizimit dhe telekomandimit në të gjithë gjatësinë e aksit hekurudhor Athinë-Selanik vazhdon të bllokojë hekurudhën greke.
Edhe pse, siç shkruan media greke, është herët për të hedhur dritë të plotë mbi aspektet e tragjedisë, të dhënat e para tregojnë se dy trenat janë përplasur ballë për ballë.
Raportohet se mjeshtri i stacionit në Larisa nuk ka rrotulluar çelësat, përmes të cilëve rregullohet mekanikisht kalimi i trenave në kryqëzimet, duke i dërguar dy trenat në të njëjtën linjë.
Duke folur për mediat vendase, presidenti i makinistëve të OSE-së, Kostas Genidounias, ka thënë se nëse do të kishte funksionuar sinjalizimi me dritë, tragjedia mund të ishte shmangur.
“Ndodhi që ne kemi bërë thirrje vitet e fundit pasi sistemet elektronike nuk funksionojnë dhe gjithçka bëhet manualisht në aksin Athinë-Selanik. Nëse dritat do të funksiononin, shoferët do të shihnin sinjalet e kuqe dhe do të ndalonin”, ka thënë ai.
Rruga Press