Opinion/Aktualitet

Cili ishte motivi i deputetëve dhe i Thaçit për zgjedhjen e Radomir Labanit

Shkruan Ali Mehmeti

Kur Radomir Laban, në gusht të vitit 2018 u votua me 71 vota për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe kur Presidenti Thaqi e dekretoj, përkundër faktit të njohur se i njëjti është dënuar me 6 vjet burg në Serbi për krim të organizuar ndërkombëtar; përkundër kërkesës zyrtare nga përfaqësuesje e grupit parlamentar të LVV Albulena Haxhiu të mos dekretohet; kur Eulexi refuzoj burgosjen e tij përkundër ekzistencës së fletarrestimit të lëshuar nga Interpoli qysh në vitin 2014.

CILI ISHTE MOTIVI I DEPUTETËVE DHE I THAQIT PËR ZGJEDHJEN E TIJ?

A ishin të detyruar nga “miqtë ndërkombëtar” ?

A ishin të detyruar nga Lista serbe që e propozoj Labanin për GjK, që në shkëmbim të marrin besnikërinë për votat e tyre sa herë që ka nevojë ?

A mendonin se mund ta mbajnë të nënshtruar Labanin për votën e tij në GjK, duke e kërcënuar me ekstradim në Serbi ku e priste burgu ?

A është veprimi i sotshëm i Presidentes Vjosa Osmani i shkaktuar nga frika, se Laban sikur referues i lëndës, me ndikim të fuqishëm ne vendimin përfundimtar, mund të jetë i kapur nga BIA serbe apo nga ndonjë shërbim tjetër sekret – duke imponuar ndonjë vendim me pasoja afatgjate negative për Kosovën (me mjeshtëri dinake, siç e përshkroi ish kolegia e tij Gjulijeta Mushkolaj, si jurist shumë të aftë) ?

Ku ishin institucionet tjera në krye me Prokurorinë, qysh nga viti 2021, kur zyrtarisht u informuan nga Presidentja mbi rrezikshmërinë e tij për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës ?

P.S.

Një pyetje shtesë: Si është e mundur që personi në fjalë të jetë i dënuar dhe i ndjekur në Serbi, kurse të propozohet nga Lista serbe për gjykatës në GjK të Kosovës, kur edhe zogjtë e malit e dinë se Lista serbe nuk do guxonte ta bënte këtë propozim për urdhër nga Serbia?! Ose ta thjeshtojmë:

A mos ishte ky “dënim” “bombë tymuese” për opinionin në Kosovë?

Rruga Press

YouTube player