‘Cilësia nuk matet me sy’: Problemet me tregtinë e gjësë së gjallë
Një ndër tregjet më të mëdha të bagëtive në veri të vendit vepron në kushte minimale higjieno-sanitare, ndërsa një seri autoritetesh përgjegjëse duken të dorëzuara dhe thonë se në Shqipëri nuk mund të kërkohen “kushte ideale”.
Çdo e shtunë në zonën e Shelqetit në Vaun e Dejës është e zhurmshme dhe kaotike. Prej më shumë se 20 vitesh, qindra tregtarë vijnë në Shëlqet për pazarin e përjavshëm, ku brenda një parcele të rrethuar në mes të asgjësë, mund të gjesh çdo gjë: nga bagëtitë e imta deri tek rrobat e përdorura apo produktet kozmetike.
Kafshët janë të parat që sillen në treg. Disa mbi karroceri kamionçinash e të tjera të ngucura në bagazhe autoveturash, bagëtitë zbriten në treg ende pa gdhirë nga tregtarët që kanë udhëtuar natën nga Tropoja, Kukësi apo nga Fushë Kruja.
Por kushtet e tregut, më i madhi i këtij lloji në Veri të vendit, janë të mjerueshme dhe sipas autoriteteve, situata është ‘një minë me sahat’ për sigurinë ushqimore.
“Tregu i Shelqetit është për ditë të shtunë dhe tregu i Stom Golemit për ditë të dielë, aty (kushtet) lënë shumë për të dëshiruar. Aty mungojnë totalisht kushtet higjieno-sanitare. Aty tregtohen gjëja e gjallë dhe produktet blegtorale që duhen ndarë, nuk mund të jenë të përfshira,” tha drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Shkodrën, Gjekë Sokoli.
Lekë Kaci, pronar i tregut i pranon problemet, por thotë se ai vetë e ka të pamundur të investojë më shumë, pasi një projekt serioz do i kushtonte mijëra euro dhe nuk mbulohet prej tarifës prej 100 lekësh që ai mbledh prej secilit tregtar një herë në javë.
“Unë kam bërë rrethimin dhe disa ndarje e mbulesa, kam bërë përpjekjet e mia, por mundësitë këto janë,” tha Kaci për BIRN.
Por bashkia e Vaut të Denjës dhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, DRSHVMB, e mbrojtën tregun duke thënë se ai i kishte kushtet minimale dhe se për Shqipërinë nuk mund të kërkoheshin “kushte ideale”.
Tregjet dhe siguria ushqimore mbeten një prej problematikave të pazgjidhura ndër vite në qarkun e Shkodrës dhe qarqe të tjera të vendit, ku premtimet për tregje me standarde mbeten kryesisht fjalë dhe përpjekjet për modernizim kanë hasur në rezistencë të tregtarëve që u frikësohen rritjes së kostove.
Veterinerë dhe faturues
Në tregun e Shelqetit operohet me tregtarë ditorë. Shitësit mund të mos jenë asnjëherë të njëjtët dhe pagesa për shfrytëzim të tregut është ditore. Kafshët duhet të kalojnë përpara kabinës së veterinerit për kontrollin e matrikullimit dhe origjinës, por ky i fundit duket se kryente edhe detyrën e faturistit dhe mbledhësit të tarifës.
I përfshirë në “angazhimin” si tarifë- mbledhës, veterineri mezi gjen dy minuta kohë për të na dëgjuar, ndërsa kur pyetet për kushtet refuzon të flasë.
“Jena privat,” thotë ai.
Mark Preci, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, DRSHVMB, në Shkodër pretendon se ata dërgonin çdo javë një veteriner të shërbimit në dy tregje të licensuara të qarkut, të cilat janë dhënë më qira tek privati, ai në Shelqet të Vaut të Dejës dhe ai në Hot të Ri.
“Ndonëse tregu është privat, ne një herë në javë dërgojmë nga një veteriner të kontraktuar për të monitoruar tregjet atje,” thotë Preci.
Sipas tij, kontrollet kanë zbuluar herë pas here tentativa të fermerëve për të abuzuar, duke mos pasur certifikatë matrikullimi të gjësë së gjallë, por këmbëngul se “deri diku është krijuar një sensibilizim”.
Megjithatë, Preci pranon se kushtet në treg janë në standartet minimale të kërkuara. “Ne nuk merremi me higjienën dhe kushtet sanitare, por me gjendjen shëndetësore të kafshëve që tregtohen,” thotë ai, por e mbron tregun duke këmbëngulur se në të kafshët ishin të ndara sipas llojeve dhe se ai mund të ishte tregu “i vetëm në Europë që ka treg specifik për derrat”.
Ndryshe nga Preci, pronari i tregut, Lekë Kaci pranon se kushtet nuk ishin ato që do të duheshin. “Kërkesat e kohës kanë ardhur duke u rrit siç është normale dhe e pranoj dhe vetë,” thotë ai, por shton se çmimi që paguajnë tregtarët aty ‘është qesharak’.
“Vetëm 1000 lekë të vjetra dhe nuk mjafton për rinovimin,” shtoi ai.
Pa laborator dhe pa përgjegjësi
Tregu i Shelqetit është bërë edhe më herët problem. Para 5 vitesh, bashkia e Vaut të Dejës vendosi mbylljen e përkohshme të tij dhe tentoi të bënte ndarjen e tij në dy zona të veçanta; njërën për gjënë e gjallë dhe tjetrën për fruta-perimet dhe produktet ushqimore.
Por ndarja nuk funksionoi. Protestat e vazhdueshme te tregtarëve të fruta-perimeve, të cilët nuk pranonin zhvendosjen e detyruan bashkinë që të tërhiqej.
Aktualisht, Bashkia e Vaut të Dejës pretendon se nuk ka kompetenca mbi tregun.
I pyetur nga BIRN për situatën aktuale, Agim Alija përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit në Bashkinë e Vaut të Dejës thotë se tashmë qeveria ka marrë kompetencat ligjore të rregullimit të shërbimit të veterinarisë, ndaj bashkia nuk ka me veteriner në strukturën e saj dhe as kontroll mbi tregun.
Duke iu referuar higjienës që mund të kontrollohej prej bashkisë, Alija tha se nuk mund të kërkonim “idealen në Shqipëri”. Ai këmbënguli se tregu i licensuar i ka plotësuar kërkesat e parashtruara pas akt kontrolleve.
Alija shtoi gjithashtu se ishin vendosur vaskat në hyrje ishte bërë rrethimi dhe mbulimi i tregut dhe ndarja në sektorë, ndërsa tha se kushtet aty ishin “të pranueshme”.
Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Gjekë Sokoli tha se përgjegjësia për gjendjen e tregut është e dyanshme.
“Edhe ne vetë kemi probleme, të cilat sigurisht ndikojnë. Privati që e ka marrë me qira kërkon suportin e pushtetit vendor në investime,” tha ai.
Sokoli thotë se AKU nga ana tjetër nuk mund të bënte më shumë se lëshimi i paralajmërimeve dhe vendosja e ndonjë saksioni. “Ne si institucion vendosim paralamërime dhe sanksione, por kemi shumë problem me mungesën e laboratorëve. Nuk matet cilësia me sy,” shtoi ai.
Vetë tregtarët iu shmangën pyetjeve, edhe pse mjaft prej tyre pranojnë se nëse tregu nuk përmirësohet, ai do të shkojë vetëvetiu drejt shuarjes./birn/
Rruga Press