Bota

CIA: Putin nuk do të ndalet, 2 javët në vazhdim do të jenë të vështira

Presidenti rus Vladimir Putin mund të intensifikojë ofensivën në Ukrainë pavarësisht disfatave të ushtrisë dhe sanksioneve të forta ekonomike. paralajmërimi vjen nga agjencitë amerikanë të zbulimit të cilat parashikojnë se javët në vazhdim do të jenë shumë të vështira. Ato vlerësojnë se 2 deri në 4 mijë trupa ruse janë vrarë deri më tani, por situata rrezikon të përkeqësohet për ukrainasit, ndërsa rezervat e ushqimeve dhe ujit do të mbarojnë për dy javë.

“Ka pak gjasë që putin të ndalet nga disfatat e pësuara, madje me shumë mundësi do të përshkallëzojë ofensivën për të arritur qëllimin e neutralitetit ushtarak të Ukrainës, nëse kjo gjë nuk arrihet me negociata. Ne vlerësojmë se Putin është i zëmëruar që perëndimi nuk e respekton dhe e percepton këtë si një luftë që nuk mund t’ia lejojë vetes të humbë”, tha Avril Haines, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Shefi i Agjencisë Kombëtare të Vlerësimit thotë se njoftimi i Putinit për të vendosur në gjendje gatishmërie të lartë forcat bërthamore ishte ekstremisht i pazakontë, por inteligjenca nuk ka vëzhguar deri më tani ndryshime të pozicioneve nukleare. Edhe William Burns, drejtor i CIA-s mendon se Moska nuk do të tërhiqet.

“Mendoj se Putin është i zemëruar dhe i frustruar tani. Me shumë mundësi ai do të intensifikojë sulmet për të shkatërruar ushtrinë ukrainase, pa marrë parasysh viktimat civile. Mendoj se Ukrainën e presin dy javë shumë të shëmtuara”, tha ai.

Burns thotë se CIA nuk është në gjendje të përcaktojë se si do t’ia arrijë Putini qëllimit të tij për marrjen e Kievit dhe zëvendësimin e Zelensky-t me një qeveri pro Moskës. Sipas tij Moska nuk i kishte menduar vështirësitë me të cilat do të përballej e aq më tepër nuk e kishte parashikuar unitetin e komunitetit ndërkombëtar përballë ofensivës.

Lexo më shumë  Shefi i Forcave Ajrore të SHBA: Lufta me Kinën dhe Rusinë mund të ndodhë në çdo moment

CIA ka bërë me dije se 2000-4000 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë, duke hedhur poshtë pretendimet e Ukrainës, që thotë se që prej nisjes së pushtimit, 12 000 ushtarë rusë kanë humbur jetën.

Gjithashtu, Ukraina pretendon se ka shkatërruar 48 avionë dhe 80 helikopterë rusë, 303 tanke, mbi 1000 mjete të rënda ushtarake, 60 depozita nafte, 56 raketahedhëse dhe pajisje të tjera.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *