Lajme

Çfarë po ndodh me shqiptarët? Rritet konsumi i pijeve energjike, kafesë e alkoolit

Konsumi i pijeve energjike, kafesë dhe pijeve alkoolike është rritur ndjeshëm në pjesën e parë të këtij viti, e reflektuar dhe në importet e larta të tyre, që ia kanë kaluar edhe periudhës së para pandemisë.

Kjo tendencë tregon për një gjallërim të konsumit këtë vit, të nxitur dhe nga rritja e hyrjeve të turistëve të huaj, sidomos atyre nga Kosova që kanë amortizuar disi mosardhjen e të huajve nga vendet e tjera të Europës për shkak të kufizimeve që u diktuan nga pandemia.

Rekord i pijeve energjike

Sipas të dhënave nga Doganat, importi i pijeve energjike për periudhën janar-korrik arriti 9.5 milionë litra, me një rritje prej 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe gjatë 7 mujorit të vitit të mëparshëm, që përkon me periudhën kur vendi ishte në karantinë, sërish konsumi i këtij produkti ishte në rritje, me importet për 7 mujorin që u zgjeruan me 23% në krahasim me vitin normal 2019. Mbyllja në shtëpi dhe stresi që shkaktoi pandemia vlerësohet nga aktorët e tregut një prej faktorëve që nxiti konsumin e pijeve energjike. Ndërsa në pjesën e parë të këtij viti shitjet janë gjallëruar si rrjedhojë e përmirësimit të konsumit dhe rritjes së hyrjes së të huajve, sidomos atyre nga Kosova.

Lexo më shumë  Haxhiu: Qeveria e Kurtit nuk e bën “Zajednicën”, nuk bën pazare me Listën Serbe

Më shumë kafe

Kafeja është një tjetër produkt që ka njohur rritje të konsumit. Sipas doganave në periudhën janar-korrik 2021 u importuan rreth 5 mijë ton kafe me një rritje prej 10% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s. Gjatë periudhës së karantinës, konsumi i kafesë vijoi të ishte relativisht i lartë, pavarësisht mbylljes së bareve e restoranteve për disa muaj, pasi produkti shumë i preferuar nga shqiptarët u përdor në shtëpi (në atë periudhë u raportua një rritje e lartë e shitjeve të ekspresëve të kafesë).

Rikthehet konsumi i pijeve alkoolike

Lexo më shumë  Maqedonci: Ushtria jonë i tejkalon shumë prej ushtrive të Ballkanit

Pijet alkoolike ishin produkti që u godit më shumë nga pandemia dhe mbyllja e bareve e sidomos klubeve të natës. Për periudhën janar-korrik 2020, konsumi i pijeve alkoolike (i llogaritur si import plus prodhimin vendas) ra me 42% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Tkurrjen më të lartë e shënoi prodhimi vendas, që gati u përgjysmua, duke detyruar disa kompani që të përshtateshin duke e përqendruar aktivitetin në prodhimin e dezinfektantëve që u kërkuan shumë gjatë pandemisë.

Por, në pjesën e parë të 2021, konsumi është rikuperuar ndjeshëm, sidomos i pijeve të huaja. Sipas doganave, importi i pijeve alkoolike u rrit me 71% në janar-korrik 2021, në krahasim me 7 mujorin 2020. Edhe në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, zgjerimi është rreth 51%. Prodhimi vendas ishte 445 mijë litra për janar-korrik 2021, me rritje 53% me bazë vjetore, por që ende është 18% më i ulët se në 2019-n. /Monitor/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *