Çfarë po ndodh me “Facebook”? Kompania humb 27% të vlerës në bursë
Të njëjtat kompani të teknologjisë, të cilat ndihmuan në rikthimin e tregut amerikan të aksioneve nga nivelet ku ra gjatë recensionit të pandemisë në vitin 2021, e orientuan sot tregun drejt një rënieje të thellë.
Kjo ndodhi pasi kompania Meta Platforms, në pronësi të së cilës është Facebook-u, bëri të ditur se nuk po ndodh më një rritje e numrit të përdoruesve të saj dhe se gjithashtu i kanë rënë ndjeshëm të ardhurat nga reklamat.
Meta nuk ishte e vetmja kompani teknologjike amerikane që pësoi humbje të enjten. Edhe kompanitë si Snap Inc., në pronësi të së cilës është Snapchat, apo kompanitë Pinterest, Twitter, PayPal, Spotify dhe Amazon pësuan humbje gjatë shitjeve të aksioneve.
Aksionet e kompanieve teknologjike po përballen tashmë me një sërë sfidash, ku përfshihet një ngadalësim i mundshëm i ekonomisë, ndryshimet në rregullat e privatësisë, presioni në rritje i agjensive rregullatore, si dhe sfida nga konkurrentët, që i kanë shtyrë shumë përdorues, në veçanti të rinjtë, drejt platformave si TikTok-u.
Të gjitha indekset kryesore të bursave amerikane ranë. Dow Jones ra me 1.45%, S&P 500 ra me 2.44%, dhe Nasdaq me 3.74%.
Megjithëse humbjet ishin të pranishme të enjten në mbarë sektorin e teknologjisë, ishin pësimet e Facebook-ut që tërhoqën më shumë vëmendjen e publikut. Aksionet e kësaj kompanie që kishin qenë në vlerën 323 dollarë të mërkurën, të enjten ranë deri në 237.76 dollarë.
Rënia prej 27% në vlerën e aksioneve të kompanisë përkthehet në mbi 230 miliardë dollarë humbje në vlerë tregu, një humbje e paprecedentë njëditore për një kompani të vetme. /VOA/