Art & Kulturë

Çfarë kuptimi ka jeta pa liri?

Adem DemaçiDashuria kuantike e Filanit

“Tani isha rehatuar me vetëveten dhe e kisha të qartë e të sigurt se do të dënohesha. Tani isha plotësisht i kthjelluar dhe nuk e kisha më frikën e vetvetes e cila m’i ngatërronte e mjegullonte mendimet. Tani bëja analiza të ftohta duke pasur gjithëherë parasysh interesin e popullit tim të robëruar. Mendoja se ishte e vërtetë se jeta ime mori një kahje të paparashikueshme dhe me rreziqe të shumta. Ishte e vërtetë edhe se nëna do të digjej përfundimisht. Mirëpo, nuk ka energji pa një djegie. Dhembje e madhe, dhembje e pafund është kur digjet njeriu, mirëpo, çfarë kuptimi ka jeta pa liri? Dhe, çfarë do të ndodhte sikur këta, pushtuesit tanë të ishin në atë nivel dhe ta dinin se me të mirë, shumë lehtë dhe shumë shpejt do të na zbutnin, do të na urtonin e do të na nënshtronin. Kështu, me të keq, si janë duke vazhduar, herdo-kurdo do të na detyrojnë që të ngrihemi në këmbë për lirinë tonë. Sepse, kur njeriu i thjeshtë është i detyruar që të zgjedh midis vdekjes me faqe të bardhë e vdekjes me faqe të zezë, ai të shumtën zgjedh atë të parën. Ja, shembulli im. Po të më lironin nga burgu sa isha ai qyqani, do të mbetesha qyqan tërë jetën dhe do të vdisja si qyqan. Pasi që qumështi të bëhet një herë kos, nuk mund të kthehet më kurrë në qumësht…

Ja, shembulli i vëllait tim, Maliqit. Po të kishte pasur fatin të vdiste nga plumbat e parabellit të atij partizan-çetnikut, ai do të bëhej dëshmor i atdheut, do të bëhej edhe një pishtar i pashuar që do të ndriçonte rrugën tonë drejt lirisë. E, kështu, vdiq nga tuberkulozi! Çfarë vdekje është ajo të shkosh nga tuberkulozi? Kurrëfarë vdekjeje. Fati im që e pata vëlla dhe që shpirtin tim qyqar e zëvendësova me shpirtin e tij trim. E, fati i tij ishte që më pati vëlla dhe shpirti i tij trim pati se ku ta vazhdonte vetëveten e të mos bredhte kot nëpër hapësirën e pafund…Sa gëzim është të kesh për çfarë të digjesh…Sa mjerim është të dalësh nga toka e, prapë të kthehesh në tokë, pa lënë prapa vetes kurrnjë gjurmë njerëzore…

Mendoja konkretisht se çfarë tragjedie e pakufishme do të më godaste po të më lironin pas tri ditësh. Ajo do të ishte fort më e keqe se vetë vdekja… Përveç nënës sime, Abës sime dhe dajës-Ramë askush nuk do të më besonte se nuk jam bërë bashkëpunëtor i UDB-ësë. Njerëzit do të më shikonin me mosbesim e përbuzje. Sa më shumë që do të mundohesha t’i bindja se nuk jam bërë bashkëpunëtor i UDB-ësë, aq më pak do të më besonin. As në rrugë, as në punë, askush nuk do të më besonte. Populli im, nga mosdija, me të drejtë, nga mosbesimi, do të më shtynte që t’i mbështetesha regjimit. Unë, megjithatë që isha bërë qyqan, nuk do të isha i gatshëm të shkoja aq larg e ta bëja një gjë të tillë. Mirëpo, do të më mbeteshin vetëm nëna, Aba dhe daja-Ramë. Ndoshta do të më besonin edhe kushëriri im, bali-Sheqë dhe halla ime, motra-Hajri… Bota ime do të zvogëlohej në pesë veta!…

Regjimistët përsëri do të tentonin që të më fusnin në parti dhe shërbimin e tyre. Kur do të bindeshin se nuk do ta pranoja një gjë të tillë, më në fund do të më shqelmonin dhe do të më flaknin edhe nga puna. Njerëzit, pa një pa dy, do të thoshin se ja, e nxorën nga puna që ne t’i besojmë, mirëpo ne nuk mashtrohemi nga dallaveret e shkaut! Unë nuk jam njeri që do të mund të merrja një tufë dhi dhe t’i ruaja në mal… Ku do t’i merrja dhitë? Në cilin mal do t’i ruaja ato? Kush do të pinte qumështin e “shpiunit”? Kush do të hante mishin e kecave të dhive të “shpiunit”? Nëna, Aba, e daja-Ramë do të pëlcisnin që nuk do të mundnin të bindnin askë se nuk isha “shpiun”. Do të mërziteshin dhe do të vdisnin nga pikëllimi. Bota do të më zvogëlohej fare. Do të më mbeteshin vetëm bali-Sheqë në Kulinë e motra-Hajri në Fushëbardhë! Jeta do të më bëhej ferr i vërtetë. Një ditë, nga pikëllimi e dëshpërimi, do të vdisja edhe unë…”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *