Sport

Çfarë fitoi kombëtarja në Nations League dhe për shortin e ardhshëm

Tre ndeshjet e fundit të kombëtares rrëzuan pritshmëri të mëdha, që Reja dhe të besuarit e tij kishin ndërtuar në një fushatë kualifikuese, që mposhti skepticizmin e logjikshëm të fillimit se në fund do të luftonim për vendin e dytë. Në fakt, ndodhi kështu dhe, po të mos kishte ndërhyrë në mes edhe fati, infektimet me Covid dhe dëmtimet në seri, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Me Poloninë humbëm ndeshjen që nuk duhej e aty është pengu i vetëm i trajnerit e lojtarëve, me Anglinë vetëm përmasat e rezultatit mund të kontestohen, në një ndeshje të gabuar në impakt e në zgjedhje, që madje pati peshën edhe në performancën nën ton që kuqezinjtë prodhuan kundër Andorras në sfidën që përmbylli kualifikueset e Botërorit me një vend të tretë të rëndësishëm.

Lexo më shumë  Renditja e FIFA-s/ Arritje historike për Kosovën, Shqipëria qëndron në vendnumëro

Në 27 ndeshjet në detyrë, Reja i është gëzuar 13 fitoreve e katër barazimeve, ndërsa ka dalë i mundur në 10 takime, për një mesatare pikësh prej 1.59 për ndeshje. Nuk është më impresive raporti i golave 36-32, që vlen 43 pikë në total, nga 17 prilli 2019 kur italiani firmosi kontratën. Pas të tatëpjetës së frikshme që morën me Panuccin në krye, ardhja e Rejas stabilizoi shumë gjëra dhe arritja e parë ishte fitorja e Divizionit në Ligën e Kombeve, duke u ngjitur nga ai C në atë B, ku natyrisht niveli i skuadrave është më i lartë dhe shorti mund të na vendosë përballë Suedisë së Ibrahimovic, Norvegjisë së Haaland e Serbisë që mposhti Portugalinë e Ronaldos.

Kjo do të zbulohen në 16 dhjetor kur të hidhet shorti, por në këtë moment nuk ka rëndësi, sepse në vëmendje duhet kthyer numri i lojtarëve të provuar dhe një rinovim kombëtareje pa kosto rezultatesh. Madje me 6 fitore e 5 humbje, për një mesatare prej 1.63 pikësh për ndeshje, Reja e ka ngjitur Shqipërinë një vazo më lart në shortin e ardhshëm të Europianit dhe kjo nuk është pak. Në anën tjetër skuadra ka fituar talente të vërtetë, ka patur luhatje apo ndoshta edhe qejfmbetje, por cështja është si duhet parë gota… e po të konsiderosh se është thënë gjithnjë se po mendohet për fushatën e Euro 2024, atëherë është e sigurtë se duhet parë gjysëm plot…

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *