Çfarë e lidhë mashtruesin Amant Josifi me vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën
Mandati i arrestit ndërkombëtar për Amant Josifin erdhi pas disa shkrimeve investigative në mediat e huaja, të cilat raportonin për qindra mijëra qytetarë të BE të zhvatur tragjikisht nga pasuritë e tyre. Josifi u prezantua atëherë si përfaqësuesi shqiptar i kompanisë së mashtrimit me qendër në Kiev të Ukrainës.
Sipas mediave spanjolle, fitimet e kompanisë arrijnë në disa miliarda euro. Degët e Shqipërisë kishin të njëjtin organizim si ato në Ukrainë dhe Gjeorgji dhe fokusoheshin kryesisht në telefonatat me klientët e Spanjës dhe Gjermanisë. Pasi i bindnin të investonin nëpër kompani të shpikura dhe grafikë të rremë, qytetarët zhvateshin rregullisht përmes mashtrimit.
Por Amant Josifi nuk ishte zgjedhur rastësisht. Në Tiranë ai kishte disa njohje të rëndësishme përmes të cilave garantonte se kompanitë “call center” do të vazhdonin punë pa u prekur nga shteti.
Marrëdhënia me Olta Xhaçkën
Josifi u emërua këshilltar i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka në vitet 2017-2020. Këshilltarët janë njerëzit më të afërt të ministrit. Ata kanë për detyrë të monitorojnë punën e stafit, të përgatisin memo, të japin orientime, të përgatisin dokumentat e duhur dhe normalisht, ta këshillojnë ministrin për qëndrimet që duhet të mbajë.
Në faqen e tij në internet amant-josifi.info ku paraqet një biografi të shkurtër, ai shpjegon se:
“Për shkak të angazhimit dhe njohjeve të tij (ai u regjistrua në atë kohë për doktoraturë në Francë), Ministri i Mbrojtjes i besoi detyrën e këshilltarit, veçanërisht në marrëdhëniet e tij me NATO-n, deri në vitin 2020”
Mbetet mister fakti se ai arriti të zgjidhej një 26-vjeçar në postin e këshilltarit të Ministrit të Mbrojtjes. Supozohet që në këtë detyrë angazhohen zyrtarë shtetërorë me eksperiencë në fushën përkatëse, por Olta Xhaçka deri tani nuk ka dhënë ndonjë shpjegim.
Lidhje me Olsi Ramën
Një shkrim i rrjetit të gazetarëve OCCRP shpalosi për herë të parë skemën e mashtrimit me “call center” nga Gjeorgjia, Ukraina deri në Tiranë dhe zbuloi se pika e kontaktit ishte Armant Josifi.
Pikërisht nga ky shkrim u zbulua për herë të parë lidhja e Amant Josifit me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit.
Ja çfarë shkruante media e huaj për Josifin dhe lidhjet e tij:
“31-vjeçari Josifi ka lidhje të fuqishme në Shqipëri. Ai ka qenë këshilltar zyrtar i ministrit të Mbrojtjes që nga dhjetori 2017, kur u emërua nga Olta Xhaçka, anëtare e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.
Josifi është gjithashtu një ish-partner biznesi i vëllait të kryeministrit, Ols (Olsi) Rama, me të cilin bashkëprononte një firmë telekomunikacioni dhe telemarketing, Pegasus Communications Shpk, derisa Josifi shiti aksionet e tij në dhjetor 2017.
Nëna e tij, Pranvera Strakosha, është një ish-gjyqtare, e cila tani është Komisionere për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, një ombudsmen i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të qeverisë.
Në përgjigje të pyetjeve të OCCRP, Josifi konfirmoi se ai kishte një call center në Shqipëri dhe se kishte marrë pjesë në festën e Milton Group (kompania mëmë e mashtrimit) në janar. Por ai mohoi çdo lidhje formale me Milton Group dhe tha se qendra e tij ishte krejtësisht e shkëputur.
Ai tha se ishte “thjesht me pushime” në Kiev gjatë kohës së festës dhe ishte njohur me David Todua (koka e skemës ponzi)”.
Dekonspirimi i aksionit për arrestimin e Josifit
Amant Josifi është në arrati. Megjithëse përfshirja e tij në skemat mashtruese ishte njoftuar dy vite më parë, megjithëse mashtrimet me forex në Tiranë kanë qenë shumë të njohura, sërish policia nuk e arrestoi dot.
Në media u raportua se pak orë para se të niste aksioni i policisë për arrestimin e tij, zyrat e call center u boshatisën me shpëjtësi dhe Josifi u largua në drejtim të paditur. Emri i tij nuk doli as në konferencën që zhvilluan prokurorët e SPAK muajin e kaluar.
Irisa Puca, Adrian Korriku, Bernardo Saraçaj dhe Erind Pysqyli janë 4 të arrestuarit në operacionin ndërkombëtar të udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe Guardia Civil spanjolle. Hetimi u shti në disa vende të Europës, përfshirë Shqipërinë, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Ukrainën.
Rruga Press