Çështja “McGonigal”/ A po hetohet Rama nga FBI?
Në shtator të vitit të kaluar, në shkrimin e parë që raportoi mbi hetimin e Charles McGonigal, media amerikane Bussines Insider publikoi një urdhër të siguruar nga FBI drejtuar një prej dëshmitarëve, që ishte lidhur direkt apo indirekt me McGonigal.
Përmes këtij dokumenti i hapej rruga mbledhjes së materialeve që kishte dëshmitari në fjalë për “çdo dhe të gjitha regjistrimet dhe materialet që keni në dispozicion dhe që dokumentojnë çdo komunikim, përfshirë, por pa u limituar, mesazhe në tekst në celular, mesazhe në postën elektronike, mesazhe të koduara të aplikacioneve, mesazhe zanore, letra apo shënime mes jush dhe Charles McGonigal në lidhje me temat si më poshtë…”
Në dokument përmendeshin me radhë emrat e personazheve të dosjes, si Agron Neza, Dorian Duçka, Lu Bladel etj, ndërsa në pikën d) të urdhërit thuhet:
d) qeverinë e Republikës së Shqipërisë ose çdo person tjetër i lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe, por pa u kufizuar tek Edi Rama
Dokumenti i publikuar nga Insider në lidhje me hetimin e Charles McGonigal
Dokumenti i bërë publik në Shtator të vitit të kaluar ka gjasë të jetë urdhri me të cilin dy agjentë të FBI-së u shfaqën në derën e shtëpisë së Allison Guerrero, ish e dashura e Charles McGonigal. Këtë ajo e tregoi në një intervistë të dytë për Insider, pasi skandali shpërtheu në mediat më të mëdha botërore.
Allison tregoi se kishte qenë ajo që kishte bërë denoncimin fillestar ndaj McGonigal, pasi ai e kishte gënjyer se do divorcohej nga bashkëshortja.
“Dy agjentë u shfaqën në derën e Guerriero-s, thotë ajo, i treguan asaj një foto të McGonigal me kryeministrin shqiptar dhe e intervistuan për ndërveprimet e tyre. Ajo gjithashtu mori një thirrje nga juria e madhe që kërkonte të gjitha komunikimet e saj me McGonigal, si dhe informacione për çdo “pagesë ose dhuratë” që ai mund t’i ketë dhënë asaj” shkruajti Bussines Insider pak ditë më parë, duke zbuluar edhe emrin e fshehur në dokumentin më lart, që e kishte publikuar në Shtator të vitit të kaluar.
E lënduar nga gënjeshtrat e ish-të dashurit të saj, Allison Guerrero ishte e para që denoncoi lidhjet e McGonigal me oligarkët rusë, kryeministrin shqiptar dhe jetën e luksit mes çantave të mbushura me para.
A ka qenë Edi Rama i hetuar nga FBI gjatë kësaj kohe?
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu referua pikërisht dokumentit të mësipërm për të thënë se Po, Edi Rama është hetuar, madje është ende nën hetim nga FBI si pjesë e të njëjtës dosje.
“Ky dokument i publikuar nga Business Insider në shtator të vitit 2022, është dokumenti që fakton se gjykata e SHBA, Juria e Madhe me 24 vetë, është juria më e madhe për çështjet më sensitive, ka autorizuar prokurorin, ka paraqitur këto kërkesa që i ka miratuar Juria e Madhe për të hetuar, për të nisur hetimin për Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare. Prokurori ka marrë autorizimin e gjykatës. Të gjithë ata që thonë se nuk është nën hetim, mashtrojnë më mënyrë të paskrupullt” tha Berisha.
Të kundërtën e pretendon Edi Rama. Sipas tij, në konkluzionet e akuzës nuk ka asgjë që e implikon atë në marrëdhënien me Charles McGonigal. Kur foli për këtë çështje, Rama e theksoi se hetimet kanë përfunduar tashmë dhe se ka zero akuzë në lidhje me të.
“Në rastin konkret ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes që diskutohet dhe meje apo qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Zero. Përmendja e emrit si pjesë në një takim nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Pra në SHBA është bërë hetim dhe janë nxjerrë përfundime. Takove një zyrtar të lartë të FBI? Po e takova. Takova një zyrtar të lartë të FBI? Po e takova. Por kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja” – ka thënë ai, duke rrëzuar faktin se është pjesë e një hetimi nga FBI.
Versioni zyrtar i akuzave ndaj McGonigal
E pyetur pak ditë më parë në lidhje me mundësinë që Rama të jetë pjesë e një hetimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci nuk spekuloi me këtë çështje.
“S’e di në ka gjasa që të hetohet edhe Rama, por nga akt-akuza është e qartë takimi me kryeministrin e Shqipërisë, takimet me të përmenden me detaje. Vetë Rama e ka pranuar që ka pasur kontakte miqësore me ish-agjentin e FBI, por në SHBA veprimet e tij nuk shihen normale, duke i cilësuar shkelje të ligjit të FBI. Ish-agjenti ka kërkuar para nga personi që ka lehtësuar kontaktin me kryeministrin dhe kjo është një shkelje”, tha Kostreci.
Një përgjigje e ka dhënë, Rudina Jasini, studiuese dhe avokate e së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Universiteti Oxford. E kontaktuar nga Opinion, Jasini e ndan përgjigjen e saj në dy pjesë.
Së pari ajo thotë se hetimi i Ramës nga FBI pengohet për momentin nga fakti se ai është kryeministër.
“Kryeministri Rama gëzon imunitet të plotë si Kryetar Shteti, pra si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ndaj çdo ndjekjeje penale nga një shtet i huaj, (me përjashtim të rasteve të genocidit, të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit)” ka thënë Jasini.
Së dyti, sipas ekspertes, hetimi i Ramës mund të kryhet dhe përgjegjësia për të, të kërkohet më vonë, kur ai të mos jetë më kryeministër.
“Por kjo nuk përjashton përgjegjësi të mundshme të mëvonshme kur ai nuk është më Kryetar Shteti. Është prerogative e Prokurorisë të përcaktojë në bazë të provave, evidencës dhe informacionit të disponueshëm se kush do të jetë subjekt i një aktakuze të ngritur. Kjo nuk do të thotë që individë të përfshirë në këtë “afere” të mos përbëjnë në një moment të mëvonshëm subjekt të mëtejshëm të investigimit” ka thënë Jasini.
Akti që lidh Edi Ramën me Charles McGonigal
Kryeministri Edi Rama përmendet 14 herë në akt-akuzën e përgatitur nga prokuroria kundër Charles McGonigal për lidhjet me Shqipërinë.
Në dosje thuhet se McGonigal mori përmes Agron Nezës materialet për të nisur hetimet e FBI-së kundër lobistit amerikan të Lulzim Bashës. “Këto materiale dolën nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”, thuhet në dosje.
Disa ditë më pas, McGonigal mori sërish nga Agron Neza 80 mijë dollarë në parkimin e një restoranti.
Sipas atyre që deklarojnë McGonigal, Agron Neza dhe Edi Rama, këto para u morën borxh.
Por a e kanë besuar hetuesit amerikanë këtë version?
Shkrimi i Bussines Insider në Shtator të 2022 raportoi se hetimet për McGonigal kishin nisur në fshehtësi, madje edhe dokumenti i jurisë së madhe ishte siguruar në sekret të plotë nga prokurori i çështjes.
“Vitin e kaluar, (Nëntor 2021) sipas dokumentave të brendshme të gjykatës, që ka siguruar Insider, prokurorët amerikanë mblodhën në mënyrë sekrete një juri të madhe që ekzaminoi sjelljen e Charles McGonigal, ish-shefi i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në New York” shkruajti Insider në Shtator.
Kjo praktikë e hetimit të fshehtë, për të cilën raporton media amerikane konfirmon në anën tjetër atë që thotë Berisha, se prokurori kurrë nuk i bën me dije të gjitha faktet që ka kundër të pandehurit dhe se nuk përjashtohet mundësia që hetimi të vazhdojë në sekret të plotë. Megjithatë ky është ende një opsion i pakonfirmuar./Lapsi.al
Rruga Press