Çepani: Qytetarët në shesh se qeveria nuk ka marrë masa për çmimet, shpenzon në koncesione e PPP
Në një intervistë për RTV Ora, aktivistja Edlira Çepani u shpreh se nga protesta e fundit qytetare janë rritur ndjeshëm çmimet.
Sipas saj, paratë publike shpenzohen në mënyrat më abuzive duke ia dhënë investitorëve strategjikë të ashtuquajtur apo me PPP, si dhe me keqmenaxhimin e tyre.
Çepani: Qysh nga protesta e fundit jo vetëm nuk janë marrë masa dhe paketa, por është rritur në mënyrë abuzive çmimi i karburanteve. Kështu, kur problemi nuk zgjidhet qytetarët detyrohen që të dalin sërish në shesh, sepse protesta është mënyra e tyre e fundit për t’i dhënë zë problematikave të tyre dhe kur situata nuk mban më. Situata nuk është zgjidhur pasi taksat e shqiptarëve menaxhohen në mënyrë korruptive dhe gjithë këtë barrë e mbajnë qytetarët dhe bizneset shqiptare me pa të drejtë.
Nga ana tjetër shohim se këto para shpenzohen në mënyrat më abuzive duke ia dhënë investitorëve strategjikë të ashtuquajtur apo me PPP, si dhe me keqmenaxhimin e tyre. Lehtësimi i popullatës është bërë në shumë vende dhe rajone të botës. Sot qytetarët janë thirrur në shesh me një simbolikë të veçantë duke marrë një kupon me çmimit e rritura dhe t’i shohim së bashku në shesh dhe t’i vendosim në “murin e vjedhjes”.
Çepani shtoi se në protestë nuk do të ketë fjalime të njëpasnjëshme, por slogane të ndryshme nga organizatorët dhe qytetarët në shesh.
Çepani: Nuk do të ketë fjalime të njëpasnjëshme, por slogane të ndryshme. Dihet se protesta nuk organizohet si një event, por është sheshi ai që e di dhe e ka në dorë për të ngritur zëri ne tyre dhe për të dalë me pankartat dhe faturat e tyre, duke kërkuar zgjidhjen e tyre. Ideja është se nëse problematikat nuk zgjidhen, qytetarët do të detyrohen të dalin sërish në shesh. Qytetarët nuk kanë votë në kuvend, por kanë zërin e tyre që e përdorin për të kërkuar të drejtat./ora/
Rruga Press