KryesoreLajme

Çeku: Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas përfundimit të balotazhit dhe fitores së kundërkandidatit të tij nga LDK, Përparim Rama.

Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe përvojën që ndau me ta gjatë fushatës. Ai ka theksuar se ndjesia e ngrohtë që mori nga qytetarët e Prishtinës është e pazëvendësueshme dhe se angazhimi i tij për kryeqytetin do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim edhe nga opozita.

“Të dashur qytetarë të Prishtinës, kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë”, ka shkruar Çeku.

Lexo më shumë  “Njeriu i dronëve”, Mehaj: FSK-ja e përgatitur për çdo skenar sigurie

Ai ka uruar kundërkandidatin e tij, Përparim Rama, për fitoren në zgjedhje dhe ka shprehur dëshirën që Prishtina të dalë nga vështirësitë që, sipas tij, e kanë përfshirë në vitet e fundit.

“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur. Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi”, ka shtuar ai.

Çeku ka premtuar se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë një opozitë aktive dhe vigjilente në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke mbrojtur interesin e qytetarëve dhe duke ndjekur me kujdes çdo veprim të qeverisjes së ardhshme.

“Si Lëvizje Vetëvendosje!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”, ka theksuar Çeku.

Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për ekipin e tij dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vullnetarët, duke i falënderuar për punën dhe përkushtimin gjatë gjithë fushatës zgjedhore.

“Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon, me të njëjtin besim dhe dashuri për Prishtinën tonë”, ka përfunduar ai.

Rruga Press

YouTube player