Çeku: Programi ynë synon mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset dhe lehtësime infrastrukturore
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar sot disa vizita në biznese të lagjes Arbëria, ku është takuar me sipërmarrës lokalë për të dëgjuar nga afër sfidat dhe idetë e tyre.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çeku ka theksuar rëndësinë e bizneseve lokale për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit.
“Sot vizituam disa biznese në lagjen Arbëria, për të dëgjuar nga afër sfidat dhe idetë e sipërmarrësve që punojnë çdo ditë dhe janë zemra e ekonomisë lokale. Programi ynë synon mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset, lehtësime në infrastrukturën publike dhe ndërlidhjen e aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës. Bashkë, për Prishtinën tonë!”, ka shkruar Çeku.
Në takimet me bizneset, Çeku ka theksuar se zhvillimi ekonomik lokal është një ndër prioritetet kryesore të programit të tij, duke premtuar se administrata komunale do të jetë një partner aktiv i sipërmarrësve të Prishtinës.
Rruga Press

