Çdo shqiptar ka 4100 euro detyrime, dyfish krahasuar me 2013
Borxhi për frymë, pra pjesa që çdo shqiptar ka nga totali i detyrimeve të shtetit, ka pësuar rritje të ndjeshme e me ritme të shpejta vitet e fundit.
Bazuar në borxhin publik të raportuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përfshirë edhe Eurobondin, çdo shqiptar, pavarësisht moshës apo gjinisë ka rreth 4100 euro borxh. Kjo vlerë është gati dyfishuar në krahasim me 2013-n, vit në të cilin detyrimet për frymë ishin në kuotën e 2500 eurove. Kjo do të thotë që për një familje me 4 anëtarë, borxhi arrin vlerën e 16 mijë e 400 euro.
Po cilët janë faktorët që po krijojnë një gropë të madhe në financat e një prej popujve më të varfër në Europë? “Ndikojnë edhe faktorët demografikë, por rritja e borxhit ka vijuar pa u ndalur këtë periudhë. Në ndryshim nga vendet e rajonit ne kemi përjetuar edhe tërmetin. Por duhet të theksojmë që edhe performanca e ekonomisë nuk është aty ku duhet të ishte”, thotë studiuesi Flobenc Dilaveri.
Nga ana tjetër, pasja e borxheve të larta, a do të thotë më pak investime e shërbime për qytetarët? “Pa dyshim, por duhet dalluar niveli i investimeve që duhet të frenohet, mund të jenë investime të dyta ose të treta që nuk e kanë impaktin direkt në ekonomi”, thotë Dilaveri.
Referuar të dhënave nga “Financat” viti 2010 ka shënuar një vlerë të kënaqshme të borxhit për frymë, ku ky tregues ishte në vlerën e 20,22 eurove ndërsa detyrimet shtetërore nuk kalonin 61% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.
Një ditë më parë, Qeveria shqiptare ka mbyllur procesin e emetimit të eurobondit. Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur për A2 CNN se u siguruan 650 milionë euro, ndërkohë që shuma e kërkuar nga qeveria ishte 500-700 milionë euro. Ky borxh është marrë për një periudhë 10-vjeçare, ndërsa interesi me të cilin është siguruar, është 3,75% dhe kupon 3,5%.
Mësohet se kërkesa nga investitorët për eurobondin shqiptar ka qenë e lartë, çka përbën një lajm të mirë për ekonominë, pasi flet për nivel të lartë të besueshmërisë. Më herët, edhe vendet e tjera të rajonit, si Serbia kanë emetuar me sukses eurobondet e tyre, duke përfituar nga normat e favorshme të interesit në këtë moment në tregun ndërkombëtar. Një arsye kjo për të cilën edhe qeveria jonë përshpejtoi emetimin e eurobondit.
Borxhi me vlerë 650 milionë euro do të përdoret për të shlyer një pjesë të borxhit të huaj dhe për të financuar deficitin buxhetor. Ky është eurobondi i pestë që emeton Shqipëria, që prej vitit 2010 kur doli për herë të parë në tregjet ndërkombëtare për të siguruar borxh.
Në total, nëpërmjet eurobondeve janë siguruar 1,15 miliardë euro, shumë që rritet në 1,8 miliardë euro me eurobondin e emetuar të enjten. /a2news/
Rruga Press