Bytyçi krahason shifrat: Shteti i Shqipërisë ka prekur totalitarizmin, shteti i Kosovës demokratik
Shqipëria dhe Kosova në renditjen globale për lirinë!
Nga Enver Bytyçi
Projekti Botëror për Drejtësinë i vitit 2024 (World Justice Project 2024) i Orgnizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë sondazh në 142 vende të botës rreth aspekteve themelore të sistemit politik dhe funksionimit të lirisë. Eshtë interesant të shohësh se si dhe ku qëndrojnë vendet e shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, në këtë grafikë vendesh sa i përket resppektit të lirisë dhe raportit të saj me ndërhyrjen e qeverisë. Sondazhi prek disa fusha, si atë të kufizimit të pushtetit të qeverisë, fushën e korrupsionit, lirinë e shprehjes, të drejtën për të protestuar dhe aktivizimin politik të lirë, zbatimin e ligjit në të drejtat civile, shkallën e ndërhyrjes së shtetit në vendimet gjyqësore civile e ato penale dhe në respektimin e proceseve të rregullta administrative.
Thënë troç, ky është një sondazh, i cili dëshmon për shkallën e arrogancës ose në të kundërtën atë të demokracisë në një vend. Ajo që bie në sy lidhet me faktin se Shqipëria është shumë larg standardeve të lirisë e të demokracisë, të cilat i zbaton Kosova. Por jo vetëm Kosova. Në disa tregues Shqipëria tejkalon Vietnamin komunist, Kolumbinë e inkriminuar prej mafies dhe Bjellorusinë e Lukashenkos, të njohura këto edhe si shtete totalitare.
Psh në sondazh del se qeveria shqiptare ka pushtet të pakufizuar. Ajo ze vendin e 106-të në 142 vende sa i përket ndërhyrjes së ekzekutivit, përkatësisht kryeministrit, në pushtetet e tjera, ndërkohë që Vietnami është në vendin e 95. Ndërkaq në aspektin e ndërhyrjes në të drejtat civile, Shqipëria ze vendin e 101, ndërsa Vietnami është 5 vende më mirë se sa vendi ynë. Po ashtu në çeshtjet e ndërhyrjes së qeverisë shqiptare në çeshtjet penale Shqipëria ze vendin e 106 e Vietmanmi të 98-tin.
Por nuk ishte ky objekti kryesor i treguesve që po analizojmë. Shqiptarët janë të interesuar më së shumti të shohin se cili është raporti midis Kosovës dhe Shqipërisë në këto tregues. Po i japim të konkretizuara:
– Sa i përket kufizimit të pushtetit të qeverisë, si aspekti themelor i demokracisë, Shqipëria gjendet në vendin e 106, ndërsa Kosova në vendin e 59 në rang botëror. Diferenca është 47 vende. Gjë që do të thotë se Kosova është shumë më mirë sesa Shqipëria në fushën e respektimit të institucioneve të tjera nga ana e qeverisë, pra të respektimit të balancës së pushteteve.
– Ndërsa shkalla e korrupsionit na shpërfaq gjithashtu një diferencë tjetër prej 37 vendesh. Shqipëria ze vendin e 107, Kosova është në vendin e 65-të. Interesant është se sa i përket shkallës së korrupsionit, edhe Kolumbia është më mirë sesa Shqipëria, 7 vende më mirë se sa vendi ynë.
– Po liria e shprehjes? Shqipëria renditet në vendin e 92-të, ndërsa Kosovan ë vendin 60-të. Edhe në këtë rast diferenca është 32 vende. Një shtet ende i pakonfirmuar në OKB, si Kosova, ka një performancë shumë më të mirë sesa shteti 122 vjeçar i Shqipërisë.
– Kurse në të drejtën për të protestuar dhe për t’u aktivizuar politikisht sondazhi e çon sërishmi Shqipërinë në vendin e 102-të, ndërsa Kosovën në vendin e 60-të. Serbia qëndron më afër Shqipërisë sesa Kosovës, në vendin e 93-të.
– Zbatimi i ligjit është një tregues që lidhet drejtpërdrejt me ekzistencën ose jo të shtetit të së drejtës. Por edhe në këtë aspekt Shqipëria është përkeqësuar dhe ka shkuar në vendin e 114-të. Kjo do të thotë se 113 vende janë më mirë dhe 28 vende në botë janë më keq sesa Shqipëria. Madje edhe Bjellorusia e Lukashenkos është më mirë sesa vendi ynë, ndërkohë që Kosova rezulton në vendin e 82-të, ose 32 vende më mirë sesa Shqipëria.
– Procesi administrativ lidhet gjithashtu drejt për së drejti me mënyrën e mënaxhimit dhe respektimit të rregullave në këtë drejtim. Po ku është Shqipëria? Në vendin 128-të, vetëm 14 vende larg nga fundi i listës. Ndërsa Kosova është në vendin e 95-të, sërishmi 33 vende më mirë sesa Shqipëria.
– Kosova është 12 vende më mirë sesa Sjhqipëria në respektimin e të drejtave civile, 44 vende më mirë në fushën e ndërhyrjes së qeverisë në çeshtjet civile 110 me 66. Po ashtu Kosova ka diferencë prej 30 vendesh dhe 33 vendesh krahasuar me Shqipërinë sa i përket ndërhyrjes së qeverisë në çeshtjet penale.
I pasqyrova këto shifra për të dëshmuar se Shqipëria jeton jo më në një regjim autoritar, por ka prekur totalitarizmin në qeverisjen e vendit. Fatkeqësisht ndeshim në një kontradiktë midis qëndrimeve politike mbështetëse për këtë regjim nga ana e ndërkombëtarëve perendimorë dhe statistikave që shënojnë sondazhet në vlerësimin real të situatës në vend. Që do të thotë se ndërkombëtarët europianë dhe amerikanë kanë hequr dorë nga kërkesa për demokraci në vendet që duan të integrohen në BE dhe kërkojnë thjesht stabilokraci. Se një qëndrim i tillë shkatërron edhe stabilokracinë, këtë nuk duan ta kuptojnë burokratët euro-amerikanë.
Bëra këtë qasje analitike edhe për të provuar se shteti i Kosovës është shumë më demokratik, sesa shteti i Shqipërisë. Megjithatë diplomatët europianë dhe ata amerikanë hedhin baltë e akuza kundër qeverisë së Kosovës dhe përkëdhelin qeverinë e korruptuar e totalitare të Edi Ramës! Nonsens!
Rruga Press