Buxheti/ Sa paguajmë në 2025 për inceneratorin e Tiranës, që nuk ekziston
Foto më lart tregon një hapësirë prej disa qindra metra katrorë tokë në Sharrë, ku ishte planifikua të ndërtohej një impiant i djegies dhe përpunimit të mbetjeve, që do të prodhonte energji elektrike.
Impianti, i njohur ndryshe si inceneratori i Tiranës u ideua në nivelet më të larta të qeverisë së Ramës pas kërkesave të ngutshme të kryebashkiakut Erjon Veliaj për menaxhimit të mbetjeve në Tiranë. Madje ky i fundit, pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak, hodhi firmën si garant i pagesës 128 milion euro për ndërtimin e inceneratorit. Thënë ndryshe, 29 euro paguhen për çdo ton mbetje, për një proces që përfshin edhe djegien e mbeturinave, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë.
Sepse inceneratori, thjesht nuk ekziston.
Në fushën e Sharrës ndodh vetëm groposja e plehrave dhe jo djegia e tyre nga një impiant që prodhon energji elektrike.
Dy mashtruesit Klodian Zoto dhe Klodian Mërtiri nëpërmjet ndihmës dhe aksesit që i dhanë drejtuesit e qeverisë dhe të bashkisë Tiranë vetëm sa bënë dokumentat dhe fituan koncensionin, pastaj mbushën llogaritë bankare me gati 100 milion euro dhe u zhdukën jashtë vendit.
Lanë pas krahëve ca gropa që mbushen çdo ditë me plehra dhe një hetim gjysmak të SPAK, që në gusht të vitit 2023, gjashtë vjet pas nënshkrimit të kontratës urdhëroi sekuestron.
Pavarësisht gropës që hapën dy Klodët me ndihmën e Ramës dhe Veliajt, për çdo vit, buxheti parashikon një shumë parash për inceneratorin që nuk ekziston.
Lapsi.al ka vëzhguar relacionin për buxhetin të pasqyruar në faqen e kuvendit. Shifra që parashikohet të paguhet për vitin 2025 është rreth 13 milion euro.
Lajmi i mirë është se këtë vit, për herë të parë, paratë do t’i shkojnë Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ndryshe nga vitet e tjera kur derdheshin në llogaritë e kompanive që kishin krijuar dy Klodët dhe bashkëpuntorët e tyre.
Por në anën tjetër, një pjesë e këtyre parave mund të ishin investuar për kopshte, shkolla, rrugë në Tiranë etj.
Vitin e kaluar, Erjon Veliaj u gjend për herë të parë përballë një situate që nuk e kishte parashikuar. Belinda Balluku refuzoi t’i kalojë para në formën e granteve, ndaj Veliaj hoqi 600 milion lekë nga buxheti i arsimit të Bashkisë për t’ia kaluar inceneratorit të Tiranës.
Mbetet për t’u parë manovra që ka parashikuar të bëjë këtë vit për pagesën e 13 milion eurove. Për Veliajn duhet të jetë e kollajtë. Në fund të fundit, nuk i nxjerr paratë nga xhepi i tij, por nga xhepat tonë.
Rruga Press