Bulliqi: Së shpejti do të jetësohet projekti i banimit të përballueshëm për çiftet e reja
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë që së shpejti do të jetësohet projekti i banimit për çiftet e reja i investuar nga Qeveria e Kosovës.
Kështu ka njoftuar Bulliqi përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Viti i ri, projekte të mëdha. Në këtë fillimvit të 2025 dua të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm e një projekt të jashtëzakonshëm që së shpejti do të jetësohet në Komunën e Podujevës, ky është projekti i banimit të përballueshëm për çiftet e reja i investuar nga Qeveria e Kosovës”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka pohuar se “Sipas planifikimeve në Podujevë projekti i banimit të përballueshëm përmban kompleksin me dy lamela shumëbanesore, sipërfaqe totale ndërtimore 19975m2, 133 njësi banimi, 20 njësi afariste, me vlerë investive rreth 19 milionë euro”.
“Projekti i banimit të përballueshëm synon të ndihmojë të rinjtë në krijimin e familjeve të tyre, duke ofruar strehim me kushte të mira dhe çmime të përballueshme. E falënderoj Qeverinë Kurti dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për këtë investim që lehtëson jetën e qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.
Rruga Press