Bulliqi dhe Durmishi nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për financimin e 5 projekteve të mëdha infrastrukturore në Podujevë
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi bashkë me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, sot kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për financimin e 5 projekteve të mëdha infrastrukturore në vlerë prej afër 5 milionë eurosh në Podujevë.
Këtë e bëri të ditur Bulliqi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera ka sqaruar se çfarë përmban ky memorandum.
Ai ka thënë se projektet që do të financohen janë këto: “Rikonstruimi dhe asfaltimi i rrugëve në qytet: ‘Bahri Fazliu’, ‘Agron Rrahmani’, ‘Ali Ajeti’, ‘19 Qershori’ dhe ‘Bedri Bajrami’, me gjatësi totale prej 1,770 metrash, si dhe ndërtimi i urës mbi lumin Llap, rrugë lidhëse me rrugën nacionale N25 – Podujevë, me vlerë prej 1,434,000 euro. Ndërtimi i rrugës Orllan–Rakinicë dhe rrugës “Rubiku” në Orllan, me gjatësi 5,030 metra, si dhe ndërtimi i trotuarit te ura në Orllan, me gjatësi 300 metra, me vlerë prej 983,400 euro. Ndërtimi i rrugëve lidhëse Llugë–Bellopojë dhe Siboc–Dumosh, me gjatësi 2,600 metra, në vlerë prej 531,500 euro. Ndërtimi i rrugëve në fshatrat Sylevicë dhe Tërrnavicë, me gjatësi 6 kilometra, në vlerë prej 774,000 euro. Asfaltimi i rrugëve në fshatrat: Bajçinë, Dobërdol, Pakashticë, Metehi, Dumnicë, Bellopojë, Brainë, Tërrnavë, Llapashticë, Gllamnik, Sfeçël, Dumosh dhe rrethinë – Podujevë, me vlerë prej 965,000 euro”, ka shkruar Bulliqi.
Rruga Press