Bujqësia shqiptare, pa mbrojtje, nën “thundrat” e klimës
Në dekadën e fundit, fenomenet ekstreme të klimës me përmbytje, thatësira dhe zjarre, janë bërë të përvitshme, ndryshe nga e shkuara, ndërkohë që emergjencat për Mbrojtjen Civile janë duke kaluar një tranzicion kompetencash ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal, duke i çuar pasojat te mosmenaxhimi i situatave.
Ekspertët nga Universiteti Bujqësor i Tiranës pohojnë se, prodhimi do të ulet me 10% në tre dekadat në vijim, prej ndryshimeve klimatike, ndërsa japin këshilla për ndërhyrje në të gjitha zonat e vendit, për kulturat që dëmtohen. Mijëra hektarë të përmbytura gjatë pranverës në Shkodër dhe 1200 hektarë të përmbytura së fundmi në Jug do të ndikojë direkt në uljen e prodhimit dhe në varfërimin personave të prekur.
Uji vërshoi në serrën e sapombjellë me kastravec të Fatmir Çelës në Samatic të Beratit dhe, në pak orë, niveli shkoi më shumë se 50 centimetër. Gjithçka u rrënua brenda ditës, prej reshjeve në fillim të dhjetorit. 3 milionë lekë investime për 1 hektar ku po kultivoheshin perimet e hershme të pranverës, ishin borxhe te shitësit e farave, fidanëve dhe imputeve të tjera, ndërsa fitimet e munguara e rëndojnë edhe më tej situatën.
Tokat në Samatic dhe në Kutalli të Beratit, një nga zonat më prodhuese në vend, kryesisht për perimet në serra janë përmbytur tre herë në dekadën e fundit dhe thatësira i ka shkatërruar më shumë se pesë herë të mbjellat.
Gentiani, fermer në këtë zonë, thotë se, prodhimet bujqësore janë të varura nga moti dhe reshjet, por vitet e fundit ngjarjet ekstreme janë shpeshtuar dhe kthyer në një problem të madh. “Ne jemi shumë të varur nga kushtet e motit, pasi as kanalet e kullimit dhe as ato të ujitjes nuk funksionojnë. Po pati reshje, kemi prodhim, po të jenë të bollshme, përmbytemi fare”, tha fermeri.
Ministria e Bujqësisë raportoi se reshjet e fundit përmbytën 1200 hektarë tokë në Jug, shumica e të cilave ishin të mbjella, diku me serrë, grurë dhe jonxhë e foragjere për blegtorinë. Këto përmbytje nuk do të ndikojnë negativisht vetëm në buxhetet e fermerëve, por në të gjithë ekonominë e vendit, me rënie të prodhimit bujqësor për sezonin tjetër. Kjo do të sjellë çmime më të larta në pranverën e vitit 2022 dhe do të ndikojë negativisht eksportet, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2017.
Që kur njerëzimi ka nisur të kultivojë bazën ushqimore në fushë, faktori klimatik kanë qenë kyç për rendimentin, por në dy dekadat e fundit, ngjarjet ekstreme të motit janë shtuar shumë dhe dëmet janë të mëdha.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka kapacitete të kufizuara, si në emergjencat civile për t’u bërë ballë fatkeqësive natyrore dhe nuk ka kapacitete financiare të mjaftueshme për të siguruar mbrojtje për fermerët ndaj ndikimeve të klimës.
Evans Rroko, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, tha se studimet sugjerojnë se ndryshimet klimatike për disa bimë do të shkaktojnë rënie të prodhimit rreth 10% deri në vitin 2050. Pasoja të tjera lidhen me uljen e cilësisë së prodhimit, sidomos te frutat e perimet, apo edhe në humbjen e cilësive të tokës bujqësore, nga rritja e kripëzimit, pakësimi i lëndës organike në tokë, apo edhe humbja e tokës nga erozioni i shtuar, tha profesori, i cili ka studiuar ndikimin e klimës në bujqësi në të gjithë territorin shqiptar.
Ekspertët e ekstensionit të bujqësisë kanë evidentuar zgjatje të thatësirës, ndryshime më të shpeshta të temperaturës, përmbytjet, reshje të parakohshme dhe madje edhe ngrica mbi nivelin mesatar të 10 viteve të fundit. Shumica e të anketuarve mendojnë se të tilla dukuri shkaktohen nga ndryshimet klimatike. Profesionistët e bujqësisë dëshmojnë ndikim të lartë të klimës, sidomos në sëmundjet e bimëve (prevalenca e rritur) dhe në uljen e rendimentit.
Fermat shqiptare, përveç ashpërsimit të ndikimeve klimatike, vuajnë edhe nga mungesa e mbështetjes shtetërore, copëzimi i lartë, mungesa e lidhjes me tregjet dhe për rrjedhojë, edhe fitimet e ulëta.
Bujqësia shqiptare, më e goditura në rajonin e Europës Jugore
Një grup ekspertësh nga Shqipëria, të cilët kanë punuar për një studim se si bujqësia mesdhetare po ndikohet nga ndryshimet klimatike, referojnë se në vendet në zhvillim, ose më të varfra, si Shqipëria, sektori ekonomik më vulnerabël i goditur nga ndryshimet klimatike është bujqësia.
Europa Jugore duket ndër zonat europiane më të ndjeshme për t’u prekur nga ndryshimet e klimës. Shqipëria është vendi i dytë më i ekspozuar ndaj rritjes së kushteve ekstreme të klimës, vë në dukje një studim, i cili u bazua në një anketë në 140 ekspertë të bujqësisë në të gjithë vendin, të cilët kishin mbledhur evidenca të ngjarjeve klimatike dhe se si ato kishin ndikuar në bujqësinë tonë.
Aktiviteti ekonomik në Shqipëri ka varësi të lartë nga bujqësia, për shkak se është sektori me kontributin më të madh në PBB, me rreth 19% të totalit dhe ekspozimi i saj ndaj ndryshimeve klimatike do të ndikonte të gjithë ekonominë.
Është vënë re se rritja e temperaturës po ndryshon periudhën e vjeljes për drithërat, ciklin e prodhimit, por gjithashtu do të ndikojë në shtimin e barërave të këqija. Do të shfaqen dëmtues të sëmundjeve të reja, që nga rritja e temperaturave dhe reduktimi i reshjeve.
Perimet, rrushi dhe ullinjtë në zonat fushore dhe misri në zonat malore do të dëmtohen nga ndryshimet klimatike për sa u përket rendimenteve. Ndërsa do të shihen efekte pozitive për drithërat në zonat fushore dhe foragjeret në zonat malore, referojnë ekspertët.
Anketa nga 140 profesionistët e bujqësisë gjeti se, 24% e të anketuarve perceptojnë një nivel të lartë informacioni ndaj ndryshimit të klimës. Ndërsa 63% e të anketuarve janë shumë të informuar për ndikimin e ndryshimeve klimatike mbi bujqësinë.
Më shumë se gjysma e ekspertëve bujqësorë, rreth 55% e tyre, mendojnë se “grantet e inovacionit për fermat” janë më të rëndësishmet. Ndërsa 44% e kampionit e vlerësuan shumë të rëndësishme mbështetjen e politikave të investimeve në drejtim të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit.
Sipas tyre, është shumë e rëndësishme edhe që qeveria të mbështesë rimëkëmbjen nga fatkeqësitë dhe dështimi i të korrave.
Emergjencat civile, tranzicioni i kompetencave krijon hendek
Teksa rreziqet nga ndryshimet klimatike janë bërë të shpeshta, me zjarret në verë, përmbytjet në dimër dhe shpesh edhe tërmete, Emergjencat Civile që koordinohen nga qeveria janë duke kaluar një tranzicion, që siç është parë dy vitet e fundit, që kur ra tërmeti i 26 nëntorit 2019, funksionimi çalon.
Ligji i ri për Emergjencat Civile, i cili u miratua gati tre vite më parë, ka transferuar menaxhimin e fatkeqësive te pushtetit lokal. Bashkitë detyrohen nga ligji që 4% të buxhetit vjetor ta vënë në dispozicion të mbrojtjes civile. Ndërsa Agjencia e Mbrojtjes Civile, strukturë pranë Ministrisë së Mbrojtjes ka marrë rol koordinues.
Ndërhyrja e saj për menaxhimin e situatave të emergjencave natyrore bëhet vetëm në rast kur bashkitë i kanë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e logjistikës dhe njerëzore, por janë të pamjaftueshme, sqaruan burimet zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes.
Por ngjarjet e këtij viti treguan se bashkitë në Shqipëri, edhe pse kanë marrë kompetencat me ligj, nuk kanë krijuar struktura të posaçme.
Kur ra zjarri në malet e Kukësit këtë verë, Bashkia kishte vetëm një punonjës dhe një mjet në dispozicion, e paaftë për t’i përballuar flakët që pushtuan malet. I njëjti rast ishte edhe në Bashkinë e Shkodrës, ku në pranverë të këtij viti, mijëra hektarë u përmbytën.
Konflikti për kompetencat me pushtetin qendror nuk e ndihmoi situatën. Burimet nga Ministria e Mbrojtjes pohuan se, pushteti lokal, prefekturat në të gjithë vendin disponojnë për menaxhimin e përmbytjeve me varka e skafe, 85 pompa uji thithëse dhe furnizimi me ujë dhe 167 ambulanca, 524 çadra për strehim dhe 6 gjeneratorë.
Ndërsa Forcat e Armatosura, në raste të emergjencave civile, kanë aktualisht në dispozicion 20 mjete për transport njerëzish, 20 mjete për transport mallrash, 15 kamionë të mesëm, 22 kamionçina, 2 helikopterë, 9 motobarka, 3 motovedeta, 9 zjarrfikëse, 4 borëpastruese, 12 autoambulanca, 1 kullë ndriçimi me gjenerator, 3 gjeneratorë, 1 autobot 10 mijë litër për ujë të pijshëm, 1 togë për ndërtim kampingjesh, 360 persona për kërkim-shpëtim, 120 shtretër akomodimi në shtëpinë e pushimit në Durrës, 50 shtretër në Jal, 150 shtretër akomodimi në familje, mjete të rënda 1 togë, 6 mjete gërmuese, 8 mjete për transport inertesh, 1 fadromë, 1 togë për forcim digash, 1 togë për ndërtim urash metalike, laboratorë për analiza të ujit, ajrit etj., 5 grupe për asgjësim municionesh dhe njësi mjekësore për urgjencat kirurgjikalë. /Monitor/
Rruga Press