KryesoreLajme

BSH: Të ulet huamarrja e jashtme, ekspozon ndaj rreziqeve të normave të interesit

Banka e Shqipërisë mbështet vendimin e qeverisë për të dalë në tregjet europiane për një Eurobond të ri, por kërkon më shumë kujdes në vazhdim me rritjen e huamarrjes së huaj.

Guvernatori Gent Sejko, tha të premten në Komisionin Kuvendosr të Ekonomisë dhe Financave se plani financimit nga Eurobondi është i arsyeshëm, në kushtet e niveleve të larta të deficitit dhe huamarrjes së synuar nga qeveria.

Sipas tij, financimi tërësor i këtyre deficiteve në tregun e brendshëm financiar do të sillte rritje të normave të interesit dhe reduktim të fondeve në dispozicion të kreditimit të sektorit privat. Por, në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë, Banka e Shqipërisë këshillon adoptimin e një përqasjeje më ambicioze për reduktimin e borxhit të huaj. Ky objektiv duhet të shkojë në linjë me objektivin primar të reduktimit të nivelit të borxhit publik në tërësi.

“Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjen me vend të theksojë se trendi rritës i huamarrjes së huaj dhe asaj të denominuar në valutë, ekspozon borxhin publik jo vetëm ndaj rrezikut të normave të interesit por dhe ndaj rrezikut të luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit.

Lexo më shumë  Zbulohet një vendbanim i ri arkeologjik në zonën e Lushnjës

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë gjykon se struktura e financimit të deficitit dhe të borxhit duhet të synojë një mbështetje më të madhe në tregjet dhe monedhën vendase në afatin e mesëm dhe të gjatë. Kjo përqasje do të reduktonte probabilitetin dhe intensitetin e goditjeve të mundshme në të ardhmen,” tha Sejko.

Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon një deficit buxhetor prej rreth 101 miliardë lekësh ose 5.4% të PBB-së. Ky deficit parashikohet të financohet në masën 50 miliardë lekë nga huamarrja e brendshme dhe 51 miliardë lekë nga financimi i huaj. Financimi në tregun e brendshëm parashikohet të sigurohet nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë.

Ndërkohë, financimi i huaj pritet të sigurohet në vlerën 25 miliardë lekë nga projektet e mbuluara nga financimi i huaj, rreth 17.5 miliardë lekë nga mbështetja buxhetore e partnerëve ndërkombëtarë dhe pjesa e mbetur prej 8.5 miliardë lekësh nga fondet e siguruara nga emetimi pritur i një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2021.

Lexo më shumë  Raporti i SIPRI: Beogradi shfrytëzon tensionet për të rritur investimet ushtarake, Kina dhe Rusia furnizuesit kryesorë

Eurobondi në vlerën e 700 milionë eurove, ose rreth 85 miliardë lekëve do të ndahet në rreth 34.1 miliardë lekë për mbulimin e pagesave të borxhit të huaj gjatë vitit 2021, 42.5 miliardë lekë për mbulimin e pagesave të borxhit të huaj në vitin 2022 dhe 8.5 miliardë lekë për financimin e deficitit buxhetor gjatë vitit 2022.

Në drejtim të menaxhimit të huamarrjes, Banka e Shqipërisë ka sugjeruar rishikimin e dispozitave të parashikuara në nenin 10 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022, të cilat kufizojnë huamarrjen në tregjet e brendshme financiare – të destinuar për financimin e deficitit buxhetor – në nivelin maksimal prej 50 miliardë lekësh, dhe e reduktojnë këtë huamarrje për maksimalisht gjysmën e sasisë së të ardhurave të mundshme të privatizimit të përftuara gjatë vitit.

Gjithashtu, banka qendrore sugjeron vijimin e punës për zgjerimin dhe diversifikimin e mëtejshëm të bazës së investitorëve në tregun e brendshëm. Ky objektiv duhet përmbushur, ndër të tjera, nëpërmjet vijimit të programit të përmirësimit të funksionimit të tregut dytësor, çka rrit interesin e investitorëve vendas.

Monitor

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *