Britania i kërkon Serbisë t’i vendosë sanksione Rusisë, Vulini sulmon ashpër të dërguarin Peach
Lord Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, përcolli thirrjen e vendit të tij për Serbinë për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe t’i hetojë parregullsitë në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor. Derisa dënoi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Kjo deklaratë nuk i pëlqeu politikani pro-rus serb, Aleksandar Vulin, ish-kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, i cili reagoi i nervozuar sapo iu prek Rusia, lidhjet me të cilën dhe korrupsioni ishin shkaqet që ai u fut në listën e zezë. Kjo e bëri Vulinin që të shpërthejë në sulm kundër diplomatit britanik, shkruan The Geopost.
“Dhe pastaj kërkuan që ne ta njohim Kosovën, të heqim dorë nga Republika Srpska dhe të vendosim në pushtet serbët e bindur që janë serbë vetëm rastësisht. Sot ai gjithashtu kërkon që ne të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Zoti Peach ndryshon uniformat, por jo temperamentin e tij. Dikur mjeshtër kolonial, gjithmonë mjeshtër kolonial. Vetëm Serbia nuk është koloni, nuk do ta njohë Kosovën, nuk do të pajtohet me zhdukjen e Republikës Srpska, nuk do të lejojë të huajt të emërojnë qeverinë e saj dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Serbia është pjesë e botës serbe, jo e Komonuelthit Britanik”, ka thënë Vulin.
Ndërkohë Peach përsëriti se Britania e Madhe mbështet normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha sërish se dënojnë sulmin terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Peach në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina” e quajti atë një “incident të rëndë” dhe theksoi se autoritetet e Kosovës po bashkëpunojnë plotësisht në hetim, gjë që ai e tha se e potencoi gjatë bisedimeve në Beograd.
Peach shtoi se sasia e armëve të gjetura mund të ishte destabilizuese për Kosovën, për këtë arsye vlerësoi veprimet profesionale dhe të koordinuara të Policisë së Kosovës.
“Nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të përfitojnë të gjithë qytetarët e të dyja vendeve, por edhe rajoni më i gjerë, duke përfshirë edhe Kroacinë, dhe e ardhmja e Kosovës është ajo e një ‘republike multietnike’”, tha Peach.
Kujtojmë se ditë më parë në Kosovë ishte për vizitë, ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili më pas edhe para Parlamentit britanik ka sjell në vëmendje agresionin serb në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Gjatë fjalës së tij, Cameron theksoi se kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare mbi pasojat që mund të shkaktoheshin në mungesë të ndërhyrjes nga Policia e Kosovës.
“Ky ishte më shumë se thjesht një incident lokal; ishte një provë serioze për stabilitetin në rajon. Detyra jonë është të qëndrojmë të angazhuar në mbështetje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai. /The Geopost/
Rruga Press