Lajme

Britania e Madhe: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

Kosova duhet të lejohet të ecë përpara me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell, në seancën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

Në një debat të mbajtur me iniciativën e Britanisë së Madhe në selinë e Këshillit të Evropës, Howell kërkoi që çështja e anëtarësimit të Kosovës të ndahet nga progresi në dialogun e Kosovës me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Kosova nuk duhet të mbahet peng në raport me progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe se ka vlerat dhe parimet e veta mbi bazën e të cilave sillen vendimet”, tha Howell në fjalën e tij.

Lexo më shumë  28 Nëntori festohet edhe në Malin e Zi, në “Sheshin Skënderbeu” vendoset monumenti i Gjergj Kastriotit

Gjatë seancës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia mbështetën anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Serbia u bëri thirrje anëtarëve që ta refuzojnë kërkesën e Kosovës.

Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe në mënyrë aktive është duke bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë fushatë, Serbia ka aleate Rusinë, e cila u përjashtua nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Lexo më shumë  Kryetari Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nëntorit

Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të asaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Nëse merret parasysh se vendimet sillen me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës është reale.

Gjatë debatit, anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës shprehën shqetësimin për tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rolin e Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin në këtë situatë.

“Nëse është kështu, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të ndërmarrim hapa konkretë”, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *