Britania do të dërgojë rreth 8,000 ushtarë në Evropën Lindore
Rreth 8,000 ushtarë britanikë do të dërgohen në Evropën Lindore për të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake, të planifikuara për të luftuar agresionin rus, raporton Sky News të premten.
Dislokimi – i cili është një nga më të mëdhenjtë që ka ndodhur që nga Lufta e Ftohtë do të vendosë trupa në vendet nga Finlanda në Maqedoninë e Veriut.
Dhjetëra tanke dhe më shumë se 100 automjete të blinduara luftarake do të dërgohen gjithashtu në disa vende këtë verë, sipas planeve që janë përforcuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Forcave të armatosura do t’u bashkohen dhjetëra mijëra trupa nga NATO dhe aleatët e Forcave të Përbashkëta Ekspeditore, të cilat përfshijnë Danimarkën, Islandën dhe Norvegjinë.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se stërvitjet e planifikuara do të përmirësojnë aftësinë e trupave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Finlandës për të punuar krah njëri-tjetrit, “duke penguar agresionin rus në Skandinavi dhe shtetet baltike”.
“Siguria e Evropës nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Në këto stërvitje trupat tona do të bashkojnë forcat me aleatët dhe partnerët në të gjithë NATO-n dhe Forcën e Përbashkët të Ekspeditës, në një shfaqje solidariteti dhe fuqie në një nga dislokimet më të mëdha të përbashkëta që nga Lufta e Ftohtë”, bëri të ditur ministria.
Dislokimi i Britanisë së Madhe pritet të rritet në një maksimum prej rreth 8,000 vetave personel që operon në kontinentin e Evropës midis prillit dhe qershorit.
Disa nga ushtrimet janë caktuar të përfshijnë hedhjen e parashutës, dhe sulmet ajrore me helikopterë.
Stërvitjet synojnë të “tregojnë shkallën dhe rëndësinë e kontributit të ushtrisë britanike në mbrojtjen e Evropës”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes.
Rruga Press