KryesoreLajme

BQK konfirmon mbylljen e kompanisë së sigurimeve “Dunav Osiguranje” në veri, thotë se operonte pa licencë në Kosovë

Dy institucione tjera paralele janë mbyllur të mërkurën më 8 janar, në veri të Mitrovicës. Policia e Kosovës gjatë një aksioni të zhvilluar mbylli Administratën Tatimore, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, si dhe kompaninë e sigurimeve “Dunav Osiguranje”, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani lidhur me mbylljen e kompanisë së sigurimeve, tha se policia në këtë aksion asistoi zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, dhe se prokurori e cilësoi rastin si “shpërdorim të veprimtarisë ekonomike”.

Lidhur me këtë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka dhënë detaje rreth operimit të kësaj kompanie në veri të vendit.

Sipas BQK-së, kompania e cila është përfshirë në hetime nuk kishte licencë për operim në territorin e Kosovës.

“Në përgjigje ndaj informatës zyrtare nga Policia për dyshimin nëse operon me ose pa licencë një kompani sigurimi, BQK në kuadër të mandatit të saj ka informuar se një kompani e tillë nuk ka licencë për operim në Kosovë dhe sipas nenit 5 (par. 1 dhe 4) të Ligjit për Sigurime (Nr. 05/L-045), asnjë person s’mund të operojë pa licencë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Lexo më shumë  Vlorë/ Përmbytjet lënë pas dëme të mëdha, mbi 300 hektarë tokë të shkatërruara dhe bagëti të ngordhura

BQK ka njoftuar se ka realizuar një inspektim të përbashkët me autoritetet kompetente ligjzbatuese për të verifikuar nëse aktiviteti i kompanisë është i regjistruar si sigurues dhe nëse ajo ka vepruar pa licencë, siç parashikon ligji.

“Për të shqyrtuar dhe verifikuar nëse aktiviteti ishte sigurues dhe si i tillë duhej licencë, është realizuar një inspektim në terren së bashku me autoritet kompetente ligjzbatuese, ndërsa rezultatet e tij të grupuara procedohen tutje nga institucionet përgjegjëse sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në përgjigjen e BQK-së.

BQK ka theksuar se do të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore për të siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm dhe në përputhje me ligjin, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit për të garantuar respektimin e rregulloreve të përcaktuara.

Lexo më shumë  Gjykata i vazhdon paraburgimin Fatmir Shehollit, i arrestuar për spiunazh

Dunav Osiguranje është një shoqëri aksionare nga Serbia, e cila ofron mbi 100 shërbime në fushën e sigurimeve të jetës dhe të pasurisë.

Mbyllja e tyre është vazhdim i aksioneve për mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat autoritetet zyrtare të Prishtinës i konsiderojnë “të paligjshme”.

Kosova filloi mbylljen e institucioneve serbe në janar të vitit 2024 dhe deri më tani janë mbyllur një numër komunash paralele serbe në Dragash, Suharekë, Prizren, Rahovec, Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Thesari i Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq, Banka e Kursimeve Postare, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri, Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Hapësirave të Banimit dhe Biznesit dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore në veri të Mitrovicës.

YouTube player