Bota përjetoi ditë më të nxehtë në histori, OKB bën thirrjen urgjente për klimën
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje për ndërhyrje urgjente, pasi bota përjetoi në 21 korrik ditën më të nxehtë në histori.
Në një konferencë shtypi, ai tha se i nxehti ekstrem po rritet në shkallë, intensitet, shpeshtësi dhe kohëzgjatje dhe Toka po bëhet gjithnjë e më e ngrohtë dhe më e rrezikshme për këdo.
“Temperaturat ekstreme nuk janë më një fenomen njëditor, njëjavor apo njëmujor. Nëse ka një gjë që bashkon botën tonë të përçarë është se të gjithë ne po e ndjejmë të nxehtin.” –tha sekretari
Shefi i OKB-së kërkoi një përpjekje ndërkombëtare të përbashkëta për të zgjidhur problemin dhe u bëri thirrje shteteve të punojnë për objektivat e klimës.
Ai iu drejtua vendeve më të pasura të botës duke theksuar se lidershipi i tyre është jetik për eliminimin gradual të karburanteve fosile.
“Grupimi G20 duhet të devijojë subvencionet nga karburantet fosile tek energjia e rinovueshme dhe të ndihmojë vendet dhe komunitetet në nevojë. Plani për klimën duhet të tregojë se si secili vend do të kontribuojë për arritjen e objektivave.” –vazhdoi ai më tej.
Guterres ia atribuoi të nxehtin ekstrem rritjes së pabarazive. Ai theksoi se përmbushja e masave për të mbrojtur punëtorët e ekspozuar dhe ata të cënueshëm ndaj ndryshimeve të klimës duhet të reflektojë realitetin e rritjes së nxehtësisë sot.
Rruga Press