Bota

Bosnjë: Arrestohen 7 të dyshuar për krime lufte në Srebrenicë

Shtatë njerëz, përfshirë komandantë dhe anëtarë të Brigadës së Zvornikut të ish-ushtrisë së Republikës Sërpska, janë arrestuar nën dyshimin për krime lufte gjatë gjenocidit të kryer nga serbët e Bosnjës kundër mijëra burrave myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995, në lindje të Bosnjë e Hercegovinës, njoftuan të premten zyrtarët boshnjakë.

Të dyshuarit u arrestuan nga Agjencia shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) në afërsi të Zvornikut, tha kjo agjenci pa treguar datën e kapjes së tyre.

SIPA theksoi se të arrestuarit do t’i dorëzohen Zyrës së Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës, pas hetimeve shtesë.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Zyra e Prokurorit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se në mesin e të dyshuarve ka komandantë të ish-brigadës së Zvornikut.

Trupat serbe të Bosnjës i vranë më shumë se 8.300 kryesisht burra dhe djem boshnjakë brenda dhe përreth Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pasi paqeruajtësit holandezë të OKB-së dështuan ta mbronin një “zonë të sigurt” të OKB-së.

Autoritetet thanë se shtatë personat e arrestuar dyshohen për vrasjen e rreth 800 boshnjakëve afër Orahovacit, pasi kjo zonë ishte kapur nga ushtria e Republikës Sërpska.

Ish-Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kanë shpallur gjenocid këtë tragjedi.

Më shumë se 50 njerëz janë ndëshkuar me dënime me burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Lexo më shumë  Shefi i Forcave Ajrore të SHBA: Lufta me Kinën dhe Rusinë mund të ndodhë në çdo moment

Trupat e viktimave janë nxjerrë nga më shumë se 80 varre masive në Srebrenicë dhe në zonat e afërta Zvornik dhe Bratunac

Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska, entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.

Ai po e vuan dënimin në një burg britanik.

Komandanti i ish-ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid, po ashtu.

Rruga Press

YouTube player