Bota

Bosnja pritet të marrë këtë javë statusin e vendit kandidat

Bosnje e Hercegovina pritet të marrë statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Evropian më 13 dhjetor, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas të njëjtave burime, në takimin e së martës të Këshillit të çështjeve të përgjithshme pritet që ministrat e vendeve anëtare në Bruksel të miratojnë konkluzat për vendet e procesit të zgjerimit, ku do të rekomandojnë edhe dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjën.

Më pas, në takimin e shefave të qeverive apo shteteve të BE-së, më 15 dhjetor, Këshilli Evropian pritet të konfirmojë dhënien e këtij statusi.

Në tetor, Komisioni Evropian rekomandoi statusin kandidat për Bosnjën, por listoi një sërë kushtesh që duhen plotësuar, e të cilat kanë për synim të forcojnë demokracinë e këtij shteti të Ballkanit Perëndimor.

Lexo më shumë  Rusia del në mbrojte të Serbisë: “Situata në Ballkan po përkeqësohet. Fajin e kanë SHBA dhe BE, po i bëjnë presion Serbisë"

Rekomandimi për Bosnjën u tha se është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike që lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes dhe migracionin.

Por, Komisioni vetëm këshillon se cilat shtete duhen të marrin statusin e kandidatit. Vendimi përfundimtar e marrin 27 shtetet anëtare dhe ato duhet të marrin vendim unanim.

Disa shtete – sikurse Austria, Kroacia dhe Sllovenia – kanë kërkuar që Bosnjës t’i mundësohet procedurë e shpejtë, pasi Moldavia dhe Ukraina në qershor morën statusin e vendit kandidat.

Lexo më shumë  “Vuçiqi në burg”, qytetarët serbë në veri mbajnë 15 minuta heshtje për viktimat në Novi Sad

Të tjerët, përfshirë Holandën, janë shprehur kundër zgjerimit, edhe pse pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka thyer rezistencën për shkak të shqetësimeve të sigurisë për Evropën si tërësi.

Bosnja e Hercegovina vazhdon të jetë i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimorë që ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Në të njëjtën ditë kur Bosnja e Hercegovina pritet të merr statusin e kandidatit, pritet që Kosova të dorëzoj aplikacionin formal për anëtarësim në BE./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *